“Jemi përballë një autokrati të rilindur”, Tabaku: Diktatorët bien, Shqipëria është e përjetshme!

Ka nisur protesta kombëtare e Partia Demokratike e Shqipërisë në sheshin para Kryeministrisë, ku qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë mbledhur për të shprehur qëndrimet e tyre kundër qeverisë.

Fjalën e radhës në tubim e mbajti deputetja e PD, Jorida Tabaku.

“Të dashur qytetarë, demokratë, në këto vite kam folur në shumë salla, por kurrë nuk jam emocionuar si kur flas para demokratëve, njerëzve të lirë,” tha Tabaku në nisje të fjalës së saj.

Ajo kujtoi rrëzimin e monumentit të diktatorit si një moment kyç në historinë e vendit. “Rrëzimi i monumentit të diktatorit ishte çasti i kthesës së madhe për ne, ishte fundi i një horrorri e diktature të pamëshirshme. Ky ishte triumf. Të gjithë diktatorët dhe autokratët bien. Të gjitha monumentet e tyre rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë. Drita e gjen rrugën e saj gjithnjë. Liria triumfon gjithmonë, edhe në errësirën e diktaturës,” deklaroi ajo.

Në vijim, Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar një sistem që, sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar në kurriz të qytetarëve. “Sot jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës zëvendësohet sot me dhunën e korrupsionit, diktaturën e korrupsionit. Është ideologjia e regjimit sot që ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve dhe ofron mundësi për krimin,” u shpreh deputetja.

Ajo shtoi se pasojat, sipas saj, janë dramatike për ekonominë dhe shtresat në nevojë. “Industria dhe bujqësia janë në falimentim. Çdo i varfër e pensionist e di të vërtetën. Sot të korruptuarit bëjnë ligje që të mbrojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve. Familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, shtresa e mesme po shtypet, taksat po shtohen, ndërsa ata lart ushqehen me privilegje që nuk u kthehen qytetarëve,” deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, sistemi aktual ka dëmtuar meritokracinë dhe shpresën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në vend. “Pas falimentimit në ekonomi, regjimet autokrate kërkojnë të kapin drejtësinë. Kjo është beteja jonë, jo betejë partiake, por për Shqipërinë e qytetarëve dhe jo të klientëve, për ekonominë e punës dhe jo të vjedhjeve e favoreve,” theksoi ajo.

Tabaku bëri thirrje për bashkim brenda opozitës. “Brenda forcave opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë, debate e qasje të ndryshme, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin duke thënë se ato që na ndajnë nuk janë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur shpopullimin, nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë. Sot na duhet guxim, besim e bashkim. Vetëm bashkë e kthejmë lirinë. Autokratët bien, por Shqipëria është e përjetshme,” përfundoi deputetja.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×