
Analisti Shpend Gashi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar protestën e sotme të Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila u shoqërua me tensione.
Gashi e cilësoi tubimin si një “protestë kopje” të protestave të mëparshme, duke theksuar se situata e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë po përsëritet. “Nuk është e ndryshme që të hanë dru njerëzit tanë. Njerëzit tanë janë edhe policët edhe protestuesit,” u shpreh ai, duke shtuar se në vend mungon kohezioni social dhe se palët shpesh e shohin njëra-tjetrën si armiq.
Sipas analistit, problemi nuk qëndron te përplasja mes qytetarëve dhe forcave të rendit, por te aktorët politikë që, sipas tij, “bëjnë lojën e madhe”. Ai komentoi edhe deklaratat e kreut të PD-së, Sali Berisha, për të cilat tha se janë premtime maksimale që përsëriten prej kohësh. “Thua se kilometri i fundit erdhi. Sa herë e kemi dëgjuar këtë? Sa quhet kilometri, mos ka ndonjë ndarje matëse tjetër?” ironizoi Gashi.
Ai theksoi se duhet gjetur një formë tjetër proteste, duke sugjeruar grevën si alternativë. “Unë ia kam thënë zotit Berisha, na duhet grevë, sepse nuk e detyron policinë të vijë aty dhe të sillet si mbrojtëse e pushtetit. Nuk është shenjë e mirë që protestuesit të dalin me plagë nga protesta,” deklaroi ai.
Duke iu referuar akuzave të opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama për kleptokraci, Gashi shtoi se, nëse institucionet konsiderohen të kapura, atëherë nuk mund të priten reagime ndryshe nga policia. “Policia merr urdhër. Greva është të shkojmë të gjithë, kush ndihet opozitar, dhe të dalim përballë Ramës,” tha ai.
Në fund, analisti theksoi nevojën për forcimin e kohezionit social ose për gjetjen e një forme më efektive reagimi, por pa prodhuar dëme kolaterale. “Ajo polici që sot dhunon qytetarët do jetë e njëjta që nesër do mbrojë opozitën kur të jetë në pushtet kundër protestuesve. Duhet reflektim dhe një mënyrë tjetër veprimi,” përfundoi Gashi.
and then