Trajnerët e “The Voice of Australia” thuhet se janë bashkuar për të kërkuar paga të barabarta nga Channel Seven, me vlerë më shumë se 1 milion dollarë secili (950 mijë euro), që të rikthehen sërish në sezonin e radhës të talent-showt.
Sipas Women’s Day , Guy Sebastian është udhëheqësi i trajnerëve në këtë kërkesë, pasi e konsideroi pabarazinë aktuale të pagave si ‘të padrejtë’.
Daily Mail shkruan se treshja e trajnerëve e përbërë nga Guy Sebastian, Keith Urban, dhe shqiptarja Rita Ora, pagat e të cilëve thuhet se përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit të talenteve, po e bëjnë këtë kërkesë në emër të Jessica Mauboy, e cila thuhet se fiton më pak nga tre kolegët e saj.
“Të katër trajnerët janë aktualisht me kushte shumë të ndryshme pagese dhe të gjithë, veçanërisht Guy Sebastian, mendojnë se është e padrejtë dhe e papranueshme”, tha një burim i brendshëm për revistën.
Sipas botimit, trajnerët mund të ‘largohen nga karriget e kuqe’ sezonin e ardhshëm nëse kërkesat e tyre do të refuzohen.
Thuhet se trajnerët po kërkojnë 1 milion dollarë secili, të frymëzuar nga kasti i serialit Friends, të cilët në vitin 2002 u mblodhën së bashku për të siguruar që ata të paguheshin në mënyrë të barabartë për dy sezonet e fundit të shfaqjes.
Ndërsa përflitet se Mauboy merr pagën më të ulët, kolegët e saj trajnerë thuhet se besojnë se ajo ‘meriton më shumë’.
“Të gjithë e duan Xhesin. Ata mendojnë se ajo është zemra dhe shpirti i shfaqjes. Në fakt, të gjithëve u pëlqen të punojnë së bashku dhe janë të lumtur të vazhdojnë për aq kohë sa ka audiencë; megjithatë, ata besojnë se është koha për të mbyllur atë hendek pagash,” shtoi burimi i brendshëm.