Alesandro Bastoni ka mbi supe vetëm 23 vite, por është shndërruar që tani në një nga idhujt e tifozërisë zikaltër, duke treguar jo vetëm pjekuri përtej moshës, por edhe një ndjenjë përkatësie me fanellën e Interit brenda dhe jashtë fushe. Nga një kishë, ku ka hedhur hapat e parë në botën e futbollit, Bastoni ka ndarë shumëçka nga jeta e tij personale, pa harruar të përmendë edhe Antonio Konten.
HAPAT E PARË – “Hapat e mi të parë, edhe futbollistikë, i kam hedhur në kishë, pasi kam qenë shumë i turpshëm dhe vija këtu me shokët e mi të shkollës. Isha kapiteni dhe më i forti fizikisht, zgjidhja të tjerët kur luanim. Kemi qenë si një familje, në provën me Atalantën më ka çuar babai i një shoqeje dhe isha vetëm 7 vjeç”.
TRAJNERËT – “Gasperini ka qenë thelbësor, sepse ka qenë ai i pari që më ka prezantuar me futbollin europian dhe ka besuar tek unë edhe pse isha vetëm 17 vjeç. Pastaj Kontes i detyrohem 90% të asaj që jam sot, pasi më ka transmetuar shumë në nivelin teknik dhe mentalitet”.
PASIONET – “Basketbolli është sporti im i preferuar pas futbollit dhe idhulli është Stefën Kërri. E praktikoj me dy vëllezërit, sepse i vogli e urren futbollin dhe nuk ka ardhur kurrë të më shikojë. Tatuazhet dhe “Play Station”-i? Po, më pëlqejnë. Fëmija që ngjit shkallët është simboli i ëndrrës. Unë kam ngjitur pak, por synoj shumë. Tani nuk luaj më as “Play Station” në shtëpi, sepse pas lindjes së vajzës duhet të ndërroj pelena, vetëm kur jam në grumbullim me shokët”.
IDHUJT – “Serxho Ramos është idhulli im, dhe për ditëlindje menaxheri më solli një bluzë të firmosur prej tij. Nga ana tjetër kur shikoj foton e Materacit, kujtoj finalen e Botërorit që fituam. Me Markon flas gjithmonë dhe ashtu si unë edhe ai e ka ‘interizmin’ në gjak. Është pikë referimi dhe do të përpiqem t’i kopjoj tripletën”.
FAMILJA – “Vajza ime 3-muajshe quhet Azzura (e kaltër) dhe po mendojmë të bëjmë edhe një vajzë tjetër dhe ta quajmë Nera (e zezë), për ta bërë familjen zikaltër (qesh). Azzura ka dy emra, edhe Agnese. Është emri i shoqes sime të fëmijërisë, që ka vdekur kur ishte 15 vjeç. E kujtoj gjithmonë, sa herë hyj në fushë bëj një shenjë të veçantë për të. Tani jam shumë i lidhur me jetën e re si baba, ashtu si me familjen time. Numri 95 është data e lindjes së vëllait tim të madh, ndërkohë që edhe pse më përndjek fotoja ku mamaja më pastron buzët pas festës së titullit, nuk turpërohem aspak”.
Përgatiti: NISLI GJINI
