Golat në minutat e fun dit dallonin Milanin në sezonin e kaluar. Veti e zhdukur në gjysmën e parë të kampionatit, por tashmë e shpluhurosur në momentin e duhur. AC Milan dhe ai çerekorësh i fundit (plus shtesa) i ndeshjes: një muaj mjalti i pafund që ka dy vjet që vazhdon dhe ka zgjidhur probleme të ndryshme. Këtë herë madje, mund të sjellë një trofe.
COPËZA E FUNDIT – Sinjalet janë të shumta, ndaj është e kotë të kërkohen prova, sepse ato janë të shpërndara përgjatë muajve që nga ardhja e Piolit. Ekipi i tij është një Milan i pafund, gjithmonë i gjallë, i aftë për të dhënë goditjen fituese kur ka një pjesë të tifozëve që nisin të largohen nga stadiumi për të shmangur trafikun, ndërsa ndeshja është ende në zhvillim.
Nëse je tifoz i Milanit nuk duhet të largohesh nga stadiumi sepse segmenti i fundit i lojës shpesh rezervon mrekulli. Nëse në fund të kampionatit “Djalli” do të ngrejë trofeun, nuk do të jetë e mundur – ndër të tjera – të mos rimendohen goli i Tonalit ndaj Lacios apo ai i Leaos me Fiorentinën. Minuta e golit të Tonalit: minuta e 47-të e pjesës së dytë. Minuta e golit të Leaos: minuta e 37-të e pjesës së dytë. Kur energjitë bien, kur vëmendja ndonjëherë ulet, kuqezinjtë hyjnë në skenë.
PIOLI PSIKOLOGU – Por krenar më shumë se kushdo është Pioli, sepse nuk është çështje rastësie. Nuk mund të jetë kështu kur ndodh disa herë. Mund të jetë çështje mentaliteti, përpara se të jetë pasojë e zëvendësimeve apo taktikave. Ndër mësimet e ndryshme të futbollit që trajneri kuqezi i ka dhënë trupës së tij të re në dy vite e gjysmë, është edhe ai i luftimit deri në fund, pavarësisht rezultatit.
Ai nguliti në kokën e djemve të tij se asnjë ndeshje nuk duhet të konsiderohet e humbur deri në vërshëllimën e fundit. Në këtë kampionat, Milani ka shënuar 17 gola nga gjysmë ore të pjesës së dytë e në vazhdim. Gjashtëmbëdhjetë nga 61 në total, ose ndryshe 27.8 për qind. Dhe rrallëherë ka ndodhur që të mos shërbejnë.
Për shembull, ato mund të konsiderohen të tepërta (term i papërshtatshëm: çdo gol, edhe nëse nuk është vendimtar, shërben për të ndryshuar ekuilibrin) ai i Hernandezit në Venecia (2-0), 4-2 i Ibrës në Bolonjë, autogoli i Venutit në Firence, 3-1 i Leaos ndaj Romës dhe rrjeta e Mesiasit ndaj Xhenoas.
SA PIKË – Golat e tjerë peshojnë gjithashtu shumë. Rebiçi dha 1-1 në Torino me Juven (76′), Diazi fitoren në La Specia (86′), Leao golin e tretë që mbrojti Milanin nga rikthimi atalantin në Bergamo (78′), penalltia nga Kesi dhe autogoli i Gunterit kompletoi përmbysjen fituese me Veronën (76′ dhe 78′), Benaseri e çoi Milanin përpara në Bolonja (84′), Ibra dha një pikë të artë në Udine (92′), Zhiru përmbysi Interin (75′ dhe 78′), Rebiç shpëtoi “Djallin” në Salerno (77′), Tonali dha një fitore kyçe në Romë me Lacion (92′) dhe i fundit ishte Leao me Fiorentinën (82′). Pafundësia e Milanit, një nga shigjetat në kukurën e Piolit.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit