
Justina Aliaj thotë se kujton shumë nga koha kur ishte në koma dhe madje beson verbërisht se ka një jetë të përtejme.
Artistja e njohur shkodrane u infektua me Covid-19 dhe për shkak të simptomave të rënda u shtrua në spitalin Infektiv në kryeqytet, ku fatmirësisht arriti që ta mposhte virusin vdekjeprurës. E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo ka folur për periudhën më të vështirë të jetës. Këngëtarja ka treguar se çfarë kaloi në periudhën kur ishte në koma, çfarë pa dhe momentet e lumturisë që ndjeu.
“Isha në koma. Kujtoj shumë nga ajo kohë. Unë e besoj verbërisht që ka një jetë të përtejme. Po kjo ishte sprovë. Shikoja një dritë tuneli, shikoja vetëm ujë, ujë, ujë, lule ngjyra-ngjyra. Uji ishte i kaltër, si jeshil siç nuk e kam parë kurrë më parë. Isha krejt vetëm, isha shumë e lumtur derisa sa shkoja te dera, aty më mbyllej dhe nuk shkoja.
Nuk ka nocion kohe, as gjeografike, asgjë. Ishte jashtëzakonisht bukur. Sot nuk e kam frikë vdekjen.
Mbas asaj sëmundjes më ranë flokët dhe I them vetes si mund të dal në ekran. Filluan të dalin flokët që ishin bosh dhe u përdrodhën. Unë dola, kur ranë isha shumë e mërzitur”, u shpreh ndër të tjera Justina.
Justina Aliaj është një këngëtare e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë. Sakaq, interpretimet e saj si aktore kanë qenë të shumta si te; “Rrethi i kujtesës”, “Bernand Alba”, “Gratë trojane”, “Nobodysees”, “Tartufi” etj.