“Bylisi e bën festë sot, tani dua trofe edhe në Superiore. Bashkia na ka harruar”, Kapllanaj: Premtoj, luajmë ndershëm!

Besa pranoi të ndërronte stadiumin dhe me Bylisin do të luajë në “Adush Muça”. Aludimet nuk kanë munguar që pasi u mor ky vendim, por për t’i shuar mendon Besnik Kapllanaj. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, presidenti premton se do të luajnë ndershëm. Numri një i klubit i jep notën 10 ekipit të tij për këtë sezon, ndërsa hapur e thotë se tani do të kërkojë trofe edhe në elitë.

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj logo

Bylisi rikthehet në elitë, a ishte i vështirë rrugëtimi?

Në fillim e menduam të vështirë, ndaj bëra një sakrificë jo të vogël financiare. Bëmë afrime e largime, por mbajta një bazë të mirë të ekipit të Superiores. Kjo rezultoi efikase dhe ja ku jemi.

Nuk keni ndier fare rivalitet?

Kemi dominuar, aq sa në 11 javët e para nuk lamë asnjë pikë. Rivalitet ka pasur ama, por ne ia kemi dalë brenda dhe jashtë fushe. Kjo arritje është meritë e padiskutueshme e stafit teknik, të gjitha strukturave të klubit dhe deri te punëtori i fushës. Të gjithë meritojnë 10 me “yll” nga ana ime! Realisht rezultoi shumë e lehtë si përfundim.

Besa pranoi të luante në Ballsh dhe kjo ka shtuar aludimet për tolerim. Cili është versioni juaj?

Mos aludoni, sepse po flasim për Bylisin që ka qenë super nga ekipi i parë e deri te U-17. Kemi qenë “fair” në çdo aspekt. Falënderoj FSHFnë dhe Besën që pranuan të luhej në Ballsh, pasi për ne është festë. Sa për tolerime, do luajmë ndershëm. E premtoj unë. Natyrisht që do të ketë edhe rrotacion, sepse e kemi siguruar Superioren dhe tashmë titullin. Do të luajnë ata të rinj që kanë luajtur edhe më parë, janë Beqaj me shumë perspektivë, Skënderaj apo Preka që janë të padiskutueshëm me Kombëtaret! Është një moment ku të tregojnë veten.

Keni hapur dyert e stadiumit, por për festën keni menduar?

E thatë vetë, hyrja është falas. Ftoj të gjithë qytetin dhe krahinën, që të festojmë këtë trofe të supermerituar. Janë marrë masat që çdo gjë të shkojë më së miri dhe kemi angazhuar një DJ. Festa do të nisë që në orën 14:00 në stadium. Kemi përgatitur shaje e flamuj me stemën e klubit.

Ku shkon ky projekt që keni nisur?

Më vjen keq që e them që bashkia ka dy buxhetet të miratuara, e ka harruar futbollin. Të mos mendojë për mua, por për lojtarët. Ata po nderojnë qytetin. Që të kthehem te pyetja, unë premtoj që Bylisi nuk do të ndalet me trofe. Në Superiore do kthehemi me synime, do tentojmë Kupën dhe Europën!

ERJON SALIU – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×