Federata Shqiptare e Futbollit ka kohë që po kërkon të masivizojë futbollin e femrave, por ndërkohë ka 4 muaj që nuk i paguan vajzat e 11 skuadrave që sot marrin pjesë në kampionatin kombëtar.
E çuditshme, por e vërtetë…! FSHF-ja, institucioni që duhet të jetë shembulli i korrektësisë për pagesat dhe për mënyrën se si duhet të funksionojë futbolli në klubet shqiptare, rezulton që nuk ka paguar futbollistet femra.
Biem dakord se në kohë krize edhe mund të ketë ndonjë vështirësi, por çështja është se paratë për futbollistet femra në Shqipëri nuk i nxjerr nga xhepi FSHF-ja, ato i akordon UEFA.
Dhe nuk janë pak, por 450 mijë euro çdo vit ose 540 milionë lekë.
KAOSI PREJ MUAJSH
“Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se futbollistet e kampionatit shqiptar të femrave nuk paguhen prej 4 muajsh. E gjithë kjo ka sjellë një klimë pezmatimi dhe mosbesimi në radhët e vajzave të reja që përveç pasionit, e shohin edhe si një mundësi për të rregulluar të ardhurat në familjet e tyre.
Burime për gazetën bënë me dije se edhe në të kaluarën ka pasur vonesa, por ato nuk zgjasnin më shumë se dy muaj, me justifikimin zyrtar se pagat ishin të vogla dhe ishte më e volitshme në FSHF që ato të kalonin dy apo tri bashkë.
Por ja që këtë vit situata është rënduar shumë dhe bëhet fjalë për 4 muaj që nuk paguhen as futbollistet dhe as stafet e tyre.
PSE I PAGUAN RROGAT FSHF
Zhvillimi i futbollit të fermave është një direktivë e UEFA-s dhe për këtë arsye institucioni më i lartë europian akordon 450 mijë euro çdo vit për çdo federatë anëtare me qëllim që të nxisë krijimin e skuadrave dhe zhvillimin e kampionateve.
FSHF ka nisur të zbatojë këtë udhëzim dhe ka marrë përsipër që futbollistet t’i paguajë ajo.
Mjafton që klubet të ndërtojnë skuadrat, të krijojnë kushtet e zhvillimit të ndeshjeve, të gjejnë edhe stafet trajnuese, ndërsa pagesat duhet t’i kryejë FSHF me paratë që merr nga UEFA.
Rrogat për një futbolliste janë minimale, pasi variojnë nga 350 mijë lekë e ndoshta edhe më pak. Por problemi është që u bënë katër muaj pa u paguar, ndaj edhe lind pyetja: ku shkojnë paratë dhe pse nuk shlyhen?
Arena e Lajmit
