EKSKLUZIVE/ “Të fitosh me Partizanin është e veçantë”, Josa: Derbi unik, në 2004-ën nuk festuam

Mirel Josa zbulon se te Tirana më shumë festojnë për fitoren në derbi sesa titullin e fituar ndaj të kuqve me një barazim. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri që ka dalë kampion në derbi, rrëfen emocionet e një ndeshjeje të fituar dhe një titulli të fituar ndaj Partizanit në fushë.

MIREL JOSA

Josa pranon se si fitorja në derbi nuk ka. Madje, në 2004-ën e largët, edhe pse dolën kampionë, lojtarët nuk festuan, sepse barazuan në derbi. Derbi luhet në mbrëmje.

Një mendim për këtë ndeshje të madhe të futbollit shqiptar?

Në fund luan Tirana-Partizani. Janë dy ekipe që rivaliteti i tyre dihet. Të dyja skuadrat kur luajnë në derbi, nuk shohin shumë klasifikimin në këtë ndeshje.

Përse duhet ta fitojë Tirana derbin e katërt me Partizanin dhe përse i duhet?

Tirana për mendimin tim objektivat e saj i ka të plotësuar maksimalisht. Titulli kampion nuk vihet në dyshim. Po Partizani përse duhet ta fitojë këtë ndeshje? Partizani i do pikët me domosdo. Është në luftën për Europë, por kjo nuk do të thotë se edhe Tirana nuk do t’i kërkojë pikët. Është ndeshje derbi dhe asnjëherë gjërat nuk tolerohen për sa i përket rezultatit të ndeshjes.

Si është të fitosh një derbi me Partizanin?

Është e vërtetë më mirë derbi sesa titulli? Të fitosh derbin është një ndjesi tjetër, por një ndjesi tej normales. Në ndeshjen Tirana-Partizani gjërat shkojnë në plan të dytë. Nuk ka vend për kompromise të heshtura, pavarësisht objektivave që kanë skuadrat.

Çfarë duhet të bëjnë skuadrat që të fitojnë ndeshjen në derbi?

Në këto ndeshje ka të bëjë shumë se si vijnë psikologjikisht ekipet në këtë sfidë. Çfarë kërkohet nga kjo ndeshje për sa i përket plotësimit të objektivave, ndonëse është dytësore. Objektivi real i skuadrave është që të fitojnë ndeshjen. Kjo histori nuk varet fare as nga e kaluara, por varet nga gjendja mendore dhe se si ekipet e përgatisin ndeshjen.

Ju e prekët pak më lart. Ta fitosh titullin në ditën e derbit matematikisht është diçka e veçantë, sidomos për tifozët…

Më se normale. Tifozët e ëndërrojnë. Më ka qëlluar mua personalisht në sezonin 2003-2004 që llogaritë e titullit i kemi mbyllur në ndeshjen me Partizanin. Asokohe na duhej vetëm një pikë për të siguruar kampionatin. Gjithsesi, ndjesia e fitimit të titullit nuk ishte aq e madhe sesa fitorja në derbi. Ne si skuadër u mërzitëm më tepër se barazuam sepse nuk fituam ndeshjen.

Edhe titulli del në plan të dytë para fitores në derbi?

Po, është e vërtetë. Madje, ne si skuadër nuk bëmë as festë zyrtare, asgjë. U futëm direkt brenda në dhomat e zhveshjes. Pastaj e mendon dhe thua: “Ore përse jam i mërzitur? Unë kam fituar titullin, s’kam përse të jem i trishtuar”.

OLSI AVDIAJ-Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×