Kategoria e Parë uli siparin teksa tashmë kanë mbetur vetëm ndeshjet Play Off dhe Play Out për t’u luajtur. Bylisi dhe Erzeni janë 2 skuadrat që arritën të kurorëzonin me sukses këtë sezon, duke u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, ndërkohë që Shkumbini, Vora, Maliqi dhe Butrinti, nuk arritën të mbijetonin, duke zbritur një kategori më poshtë.
Plot 4 skuadra do t’i nënshtrohen Play Off-it për t’u bashkuar me më të mirat e futbollit shqiptar. Korabi, Apolonia, Tërbuni e Tomori janë skuadrat që do të ndeshen me njëra-tjetrën në një fazë me eliminim dhe ajo që do të triumfojë, do të luajë Play Off-in me vendin e 8 në Abissnet Superiores.
Në raundin e parë, Korabi do të presë në shtëpi Tomorin, teksa Apolonia do të ndeshet në “Loni Papuçiu” ndaj Tërbunit. Fituesit e këtyre dy çifteve, do të luajnë së bashku, për të përcaktuar skuadrën që do të arrijë të përballet me vendin e 8-të të Superiores.
Për sa i përket “Play Out”-it, Pogradeci dhe Turbina do të luajnë nga një ndeshje shtesë për kompletuar përfundimisht fatet e sezonit.
Këto 2 skuadra do të mësojnë ditën e nesërme edhe rivalët. Do të jenë fituesit e çifteve Oriku-Veleçiku dhe Labëria-Devolli, që do të ndeshen njëra me Turbinën dhe tjetra me Pogradecin.
Vendi i 11- të i Kategorisë së Parë do të zhvillojë ndeshje “play off” me një takim me ekipin fitues të “play off” të Grupit A (Oriku-Veleçiku) të Kategorisë së Dytë.
Vendi i 12-të i Kategorisë së Parë do të zhvillojë ndeshje “play off” me një takim me ekipin fitues të “play off” të Grupit B (Labëria-Devolli), të Kategorisë së Dytë. Ndeshjet e “play off” do të zhvillohet në një stadium të përcaktuar nga FSHF.
Një çështje tjetër interesante ka qenë edhe “Këpuca e Artë”, Redon Danaj i Besëlidhjes dhe shkodrani i Bylisit, Eridon Qardaku, do të ndajnë çmimin e sezonit në Kategorinë e Parë, pasi që të dy ia dolën të shënojnë nga 21 gola.
Arena e Lajmit
