
Reperi Shubhdeep Singh Sidhu, i njohur gjithashtu në mbarë botën me emrin e tij artistik Sidhu Moose Wala, është qëlluar për vdekje të dielën në mbrëmje teksa po ngiste makinën e tij në Mansa, një lagje në shtetin Punjab të Indisë veriore. Moose Wala, 28 vjeç, u dërgua me urgjencë në spital ku u deklarua i vdekur.
Zyrtari më i lartë i policisë së shtetit Punjab, VK Bhawra, tha se hetimi fillestar ka zbuluar se vrasja ishte një rivalitet ndërmjet bandave.
Moose Wala filloi si tekstshkrues përpara se një këngë hit në 2017 të zhvillonte karrierën e tij në muzikë, duke e bërë atë të njohur në mesin e diasporës indiane dhe punxhabe në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
Shumica e këngëve të tij kanë një titull anglisht edhe pse këngët janë kënduar kryesisht në Punjabi. Videot e tij muzikore ishin më të famshme për tekstet e tij rap dhe shpesh fokusoheshin në kulturën macho. Albumi i tij debutues në vitin 2018 arriti në tabelën e Billboard Albums të Kanadasë.
Moose Wala ishte një figurë e diskutueshme, pjesërisht për shkak të stilit të tij lirik. Në vitin 2020, policia e akuzoi atë sipas Aktit të Armëve të Indisë për promovimin e kulturës së armëve në një nga këngët e tij.
Kënga e tij e fundit, “The Last Ride”, u publikua në fillim të këtij muaji.
Reperi iu bashkua Partisë së Kongresit të Indisë vitin e kaluar dhe kandidoi në zgjedhjet e asamblesë së shtetit por nuk pati sukses.
Kryeministri i Punjabit Bhagwant Mann tha se “asnjë fajtor nuk do të kursehet” dhe se u shpreh se ishte thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga vrasja.
Rahul Gandhi, një udhëheqës i lartë i Kongresit, shkroi në Twitter për të shprehur ngushëllimet e tij për vrasjen.
“Thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga vrasja e udhëheqësit premtues të Kongresit dhe artistit të talentuar”, tha ai.