I “del nga duart” biznesi i kriptomonedhave 21-vjeçarit nga Shkodra, Policia zbulon 16 pajisjet. Dy në pranga, mes tyre një punonjës i OSHEE

Bitcoin 768x485 730x410

Policia e Shkodrës ka zbuluar 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Forcat blu kanë bërë të mundur vënien në pranga të një punonjësi, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i këtyre pajisjeve, një 21 vjeçar me inicialet J. M..

Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Avalon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjenden dhe sekuestrohen në një magazinë, 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Shpallet në kërkim poseduesi i pajisjeve. Vihet në pranga bashkëpunëtori i tij.

Procedohet në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe OSHEE Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avalon”, në kuadër të të cilit është ushtruar kontroll në këtë magazinë dhe është shpallur në kërkim shtetasi:

-J. M., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Gjatë kontrollit në magazinë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 16 pajisje elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave dhe dyshohet se përdoreshin nga 21-vjeçari.

Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi:

-F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×