Lautaro-Dibala, një tango argjentinase për Kupën e Italisë

Kanë kaluar 57 vite që nga hera e fun dit kur Interi e Juventusi vendosin mes tyre fituesin e Kupës së Italisë dhe të mërkurën do të jetë pikërisht kjo përballje që do të na njohë me triumfuesin.

Lautaro-Dibala

Por ndërsa “Derbi i Italisë” do të përcaktojë për të dytën herë gjatë këtij sezoni, pas Superkupës, një trofe kombëtar në vendin fqinj, vëmendja do t’i takojë një tjetër kombësie, asaj argjentinase. Lautaro e Dibala janë jo vetëm njerëzit e momentit në ekipet përkatëse, mbi të gjitha për shkak të së ardhmes së tyre, por pritet të jenë edhe njerëzit e finales, nëse një serb si Vlahoviçi nuk “u prish festën”.

INTERI – Lautaro po kalon momentin e tij të artë. Me 7 gola në 6 ndeshjet e fundit, sulmuesi ka dërguar te fitore të njëpasnjëshme skuadrën e tij duke arritur edhe rekordin e tij personal me zikaltrit, 23 gola sezonalë, shifra këto që po ndikojnë jo vetëm në rritjen e vlerës së kartonit të tij, por mbi të gjitha po ndikojnë që Interi të konsiderojë vendimin për ta sakrifikuar gjatë verës.

Me një pjekuri përtej 24 viteve të tij, “Demi” është tashmë simboli i këtij Interi, për fanellën e të cilit e ka shprehur jo pak herë dashurinë. Skuadra pret pa dyshim kontributin e tij edhe në minutat e finales ndaj Juves, të cilët nuk i la pa ndëshkuar në Superkupë nga pika e bardhë e penalltisë. Jo vetëm sepse tashmë e di rrugën për te porta bardhezi, por Lautaro mund ta gjejë frymëzimin edhe te bashkëkombësit e tij që kanë shënuar 8 prej 13 golave të fundit të zikaltërve në finalen e Kupës, një burim inkurajimi edhe argjentinasin tjetër, Hoakin Korrea.

JUVE – E nga një argjentinas te një tjetër, edhe Paulo Dibala nuk ngelet pas për protagonizmin. 28-vjeçari, të cilit i skadon kontrata në qershor, nuk ka më dyshime mbi largimin, por mbi destinacionin. Ky mund të jetë derbi i fundit i Italisë për Paulon, të paktën me fanellën bardhezi, pasi nuk janë të vogla shanset që ata në vazhdim t’i luajë me ngjyrat zikaltër, me Interin në “pole” për të siguruar shërbimet e tij.

Por deri në marrjen e vendimit për të ardhmen, “La Joya” ka treguar që do të lërë shenjë në këtë fund sezoni dhe nuk ka në plan të shpërdorojë një mundësi si finalja për ta bërë. Edhe ai si Lautaro, e ka gjetur 1 herë golin gjatë këtij sezoni ndaj rivalëve, po ashtu me penallti, duke firmosur barazimin e fazës së parë të kampionatit.

Por Dibala nuk është i vetmi që kërkon të lërë shenjë. Dushan Vlahoviç nuk po kalon moment të lehtë dhe thatësira anormale prej 4 ndeshjesh është kthyer në një stimul madhor për të. Serbi kërkon kthesën, pasi nuk dëshiron t’i ndalë në 7 aktualët golat e tij bardhezi që nga shkurti dhe ndaj Interit ka rastin ideal. Stërvitja e vazhdueshme me Alegrin dhe mbështetja e këtij të fundit mund të bëjnë që të mërkurën tangos argjentinase t’i shtohen edhe ritme ballkanase.

Përgatiti: NISLI GJINI  – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×