Kristiano Ronaldo u ka thënë shokëve të skuadrës se ai dëshiron të qëndrojë në Mançester, por vetëm në rast se trajneri i ri, Erik ten Hag, e do një gjë të tillë.
Është përfolur shumë se 37-vjeçari mund ta prishë vitin e fundit të kontratës pasi “Djajtë” nuk do të luajnë në Champions sezonin e ardhshëm. Por përpara ardhjes së trajnerit të ri, një burim i klubit konfirmoi për “The Sun”:
“Ronaldo u tha shokëve se ai nuk do të largohet për sa kohë klubi nuk do t’ia kërkojë një gjë të tillë. Askush nuk është më shumë i zhgënjyer sesa ai me përfundimin e këtij sezoni. Por ai nuk dëshiron të largohet në këtë pikë dhe dëshiron ta ndihmojë klubin që të rikthehet në Champions dhe përpiqet të fitojë një trofe sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, ai u ka thënë atyre se nëse trajneri i ri dëshiron të ecë në një tjetër drejtim, atëherë ai nuk do të ketë asnjë problem të largohet”.
Sulmuesi portugez, i cili ka shënuar 18 gola në 29 ndeshje të Premier Ligës këtë sezon, është i vendosur për të qëndruar në “Old Trafford” edhe për shkak të familjes.
Djali i tij, Kristiano Zhunior, është ambientuar shumë mirë në akademinë e Mançesterit. Por edhe e fejuara e tij, Xheorxhina, e cila ka jetuar në Britani përpara se të takohej me CR7 në Madrid, nuk dëshiron të lëvizë në këtë etapë të jetës, ku ajo sapo humbi një prej binjakëve muajin e shkuar.
Ditët e fundit “Mirror” raportoi se Sër Aleks Ferguson po përpiqet personalisht për ta bindur lojtarin që të qëndrojë në “Teatrin e Ëndrrave”. Ata janë takuar disa herë në shtëpinë e njëri-tjetrit ku kanë diskutuar privatisht për të ardhmen.
Ish-trajneri skocez është një nga arsyet përse Kristiano vendosi të rikthehej në verë, në një kohë kur ishte shumë pranë transferimit te rivalët e Mançester Siti.
Arena e Lajmit
