“Ishim përgatitur për rënien e Skënderbeut, na masakroi dënimi”, Shkëmbi: Lutem për mbijetesën e Dinamos por drejtuesit…

Bledi Shkëmbi ka analizuar në studion e “Sport News” në “News 24” fitoren e titullit kampion të Tiranës, në një derbi ndaj Partizanit. Trajneri ka vlerësuar si të merituar suksesin e bardhebluve, teksa duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, ka pranuar se ndoshta do të duhej të kishte mbajtur Xhuliano Skukën te Dinamo në janar.

shkembi

“Ndoshta ishte qershia mbi tortë për mënyrën se si fituan titullin. Një javë më parë thamë që ndoshta Tirana priste një ndeshje që të kishte motivim më të madh dhe derbi ishte ndeshja ku iu dha motivim e besim. Në pjesën e parë ishte Partizani, në të dytën Tirana, ku më pëlqeu besimi për të fituar derbin dhe kampionatin, falë edhe individëve në skuadër. E kam thënë që ka individë për të zgjidhur ndeshjen, pa i hequr meritën edhe stafit e trajnerit, nuk diskutohet…

Patjetër që meritat i shkojnë Tiranës se pas 2-3 javësh jo të mira, gjeti forca e motivim të madh për të fituar kampionatin.

Partizani në pjesën e parë mendoj se ishte në ritmin ku mendoja, me pak kujdes mund të kishte dyfishuar. Në pjesën e dytë u rikthye Tirana agresive dhe ia bëri të vështirë Partizanit, isha i bindur që nuk do i mungonte Seferi, jo vetëm si emër, por edhe për atë që jep në fushë në ndeshje të vështira. Isha i bindur që do të linte gjurmë dhe kjo ndodhi.

Mendoj që Tirana pati vazhdimësinë në këtë sezon si armë kryesore, meritat e stafit teknik dhe të trajnerit janë të padiskutueshme. Kjo fillon nga meritat e klubit, trajneri Shehi e ka filluar një vit e gjysmë para. Në kampionatin e parë nuk ia doli të shkonte në Europë, klubi me shumë meritë i dha besim për të vazhduar se ndoshta herë të tjera ka ndodhur që t’i largojë më shpejt. Këtë herë i dha besim dhe është për t’u komplimentuar te Tirana. Dhe kjo vazhdimësi bëri që skuadra të marrë besim, të hyjë në filozofinë e trajnerit e të gjithë klubi të jetë bashkë. E kam thënë që klubi ka qenë më i qetë se çdo kampionat tjetër, futbollistët më të bashkuar, tifozët më afër me klubin, këto kanë rëndësi të madhe në vazhdimësi të kampionatit. Pastaj edhe meritat e futbollistëve bënë që Tirana të dalë kampione me shumë meritë.

Për mua Seferi ka qenë lojtari kryesor, por kanë qenë disa se nuk mund të dalësh kampion me vetëm 2-3 lojtarë. Duke filluar nga portieri, Hoxhallari, Totre, Limaj, Xhixha, një grup 5-6 futbollistësh. Këto janë lojtarët që edhe në momente e ndeshje të vështira kanë bërë diferencën nga ekipet e tjera.

shkembi nexhi

Skuka? Unë kam një mendim siç e kam parë kur e stërvitja, që është një lojtar me shumë të ardhme. Ka të dhëna shumë të mira por duhet të ndryshojë, edhe atë mendimin për veten, me mënyrën se si duhet të sillet, që të bëhet edhe më i mirë. Padyshim te Partizani ka ndryshuar për mirë, ka fituar besim edhe më shumë se sa ka pasur dhe po bën mirë. Më bëhet qejfi, pavarësisht asaj që mendojnë të tjerët. Edhe unë e mendoj tani që mund t’i kisha dhënë më shumë besim dhe mund ta kisha mbajtur në ekip, por ishte vendim që e morëm bashkërisht si klub. Mendoj se edhe qëndrimi i Skukës te Dinamo nuk do të ndryshonte diçka të madhe sepse gjërat te Dinamo janë më të thella dhe nuk varen nga një lojtar”, tha ndër të tjera Shkëmbi.

“Rënia nga kategoria? Më vjen keq për Skënderbeun, por edhe vjet, edhe sivjet, dukej që ishte drejt asaj rruge. Me keqardhje, por pak a shumë ishin të përgatitur që po shkonte drejt kësaj rruge. Arsyet janë të shumta por ai dënim i Skënderbeut na ka masakruar dhe edhe për futbollistët deri diku edhe mund t’u falet. Të luash futboll pa objektiv është shumë e vështirë. Shpresojmë se çfarë do të ndodhë me presidentin dhe çfarë do të vendosë. Personalisht, nga eksperienca që kam dhe sa e njoh, jam i bindur që do të ringrihet.

Për sulmin e Gegës dje, mund të them se i kam provuar edhe unë emocionet pas ndeshjes, sidomos kur të bëjnë padrejtësi. Por nuk ishte kjo ndeshja që Skënderbeu mori goditjen e shkoi në Kategorinë e Parë. Pjesën e arbitrit nuk dua ta komentoj shumë, nuk kam dashur ta komentoj edhe kur isha trajner se mendoj se bëjnë gabime ashtu si edhe ne, pavarësisht se ne lojtarë e trajnerë me eksperiencë e kuptojmë kur i bëjnë me dashje e kur i bëjnë pa dashje. Por për fat këtë vit ka pasur VAR. Ka ndodhur vetëm në disa ndeshje kur gjërat nuk janë kthyer nga VAR e ka pasur dy standarde. Por e kam thënë që nuk ishte kjo ndeshja që të bëhej zhurma e madhe për arbitrin.

Shpresoj dhe lutem të ndodhin skenarët e mbijetesës së Dinamos. Por e kam thënë që në një moment pashë një Dinamo që u dorëzua dhe ishte shumë shpejt, pashë drejtues nga Dinamo që kërkonin të hiqnin përgjegjësitë dhe të merreshin me trajnerin e drejtorin që ikën kur kishin mbetur edhe dy faza. Merreshin më shumë të gjenin fajtorët sesa të dilnin nga kjo situatë. Teuta ishte në një moment që ishte gati për play out dhe nuk u dorëzua po vazhdon e thotë dua të kap Europën, me shumë të drejtë. Ky ishte momenti që Dinamo vazhdoi me rezultate edhe më keq. Vazhdoj të them që ka lojtarë me eksperiencë që nuk e meritojnë vendin ku janë, por kryesorët janë ata që luajnë në fushë, futbollistët. Një përgjegjësi të madhe e kane dhe ata përtej stafit, nuk diskutohet”, tha ai.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×