Jepini topin dhe mund të shpikë diçka. Kështu ka qenë e do të jetë gjithmonë, sepse e tillë është natyra e tij. Rafael Leao ndizet dhe krijon, e piketon rivalin dhe thumbon. Portugezi është një 10-sh që luan në korsi. Ai mban numrin 17, buzëqesh kur mban topin dhe feston duke imituar një sërfist:
“Ndonjëherë ata humbasin dallgën, por pastaj kthehen në det dhe bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Është mënyra ime e të qenurit”. Një mendim që me sa duket e ka bërë një element të shkëlqyer në çdo fushë. Mendësi, vazhdimësi, performancë. Leao është golashënuesi më i mirë i Milanit me 13 gola këtë sezon.
Por, në veçanti, ai u bë mbreti i padiskutueshëm i prodhimit sulmues në kampionat. Golashënuesi më i mirë i “Djallit”: 10 gola, i vetmi kuqezi në dopioshifër. Dhe, që nga e diela, njeriu i mirë me asiste: me dy të Veronës për Tonalin u ngjit në kuotën 6, duke kaluar Hernandezin.(5)
BESIMI – Për t’u zgjuar u deshën disa shuplaka në fytyrë. Disa ia dha Pioli, një tjetër Ibra, edhe pse suedezi i njohu meritat: “Nuk vraponte, u përpoqa t’i flas, por nuk pashë asnjë reagim, pastaj në fazën përgatitore shpërtheu vetë”. Kurrë më parë aq vendimtar sa këtë vit, në Serinë A askush nuk driblon si Leao, ndërsa në Europë është i katërti pas SenMaksimës së Njukasëllit, Adama Traores së Barçës dhe Mbapesë, profesionistë të driblimit.
Asistet për Zhirunë kundër Lacios, si dhe ato në Veronë, janë manifest i lojës së portugezit të Milanit. Driblime, fundore dhe krosim në zonë. Tiago Fernandesh, trajneri i tij i parë në Lisbonë, i ndjeu aftësitë e tij pas rreth dhjetë minutash:
“Herën e parë që e pashë ishte 12 vjeç. Ndeshje 8 kundër 8, Leao merr topin në të majtë, kapërcen katër lojtarë dhe shënon”. Ky është një fenomen, nga ka ardhur?’…”. Po të mos kishte qenë ai mbase do ta kishin skarcuar pas disa muajsh. Rafa nuk stërvitej mirë, ai ishte pa dëshirë. Tiago e mori nën mbrojtjen e tij dhe e bindi që të nxirrte të gjithë veten:
“E kam ftuar disa herë edhe në shtëpi. Një herë harroi pasaportën para se të shkonte në turne, por për cilësitë e Leaos nuk kam pasur kurrë ndonjë dyshim”.
NJË PASURI- Ndoshta kuqezinjtë kanë në duar një diamant të mundshëm me vlerë prej 80-100 milionë. Ndërkohë, tani për tani vlen të paktën 70. Me titullin e qepur në gjoks sigurisht do të vlejë më tepër, por qasja është pak a shumë e njëjtë tani për tani. Shiko, por mos e prek. Me atë ndryshim pronarësh te Milani, Leao do të jetë një nga gurët e parë mbi të cilin do të ndërtohet ekipi i së ardhmes.
Elementi më me vlerë i një ekipi talentesh (ai, Tonali, Heo…). Ky është viti në të cilin ka shënuar më shumë gola në karrierën e tij, ai në të cilin ka bërë më shumë asiste, ai në të cilin ka krijuar më shumë mundësi goli. Leao ka një kontratë deri në vitin 2024 dhe një akord verbal deri në vitin 2026, që do të zyrtarizohet pasi të përfundojë mosmarrëveshja mes Lilës dhe Sportingut (vendimi pritet së shpejti), një çështje që e përfshin plotësisht edhe lojtarin.
Kuqezinjve u mungojnë katër pikë për të festuar kampionatin. Atalanta dhe Sasuolo janë hapat e fundit para rikthimit te titulli. Njëmbëdhjetë vjet më parë, në 2010-’11, Leao ishte një talent i ri i “të gjelbërve” që magjepsi të gjithë duke dribluar ata 4 lojtarë. Në thelb, nuk ka ndryshuar shumë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
