“Jam i lumtur në Shqipëri, do të vazhdoj këtu”, De Silva: Titulli me Tiranën mrekulli! Dua të luaj në Champions

Me mbylljen e javës së fundit në Europë, kampionët kombëtarë nisin të përcaktohen. Të shtunën e kaluar, KF Tirana, ekipi kryesor i futbollit shqiptar, fitoi titullin e 26-të kombëtar. Skuadra ka në përbërje sulmuesin brazilian Devid de Silva. Lojtari festoi titullin, ndërsa për “Bolavip” në Brazil ai foli për emocionet e trofeut.

DE SILVA

“Fitimi i një titulli është kurorëzimi i një pune të bërë mirë. Grupi ynë ishte shumë i bashkuar, i fokusuar në kërkimin e titullit dhe, falë Zotit, ia dolëm. Jam shumë i lumtur që fitova titullin tim të parë kombëtar.

Jam munduar të ndihmoj brenda garës, duke shënuar gola dhe dhënë asiste dhe kjo më bën shumë të kënaqur me punën që kam bërë”, tha ai. Fitimi i titullit i jep KF Tiranës të drejtën për të luajtur në Champions League.

Skuadra shqiptare hyn në fazën kualifikuese të garës kontinentale. Devid de Silva, i cili ka kontratë me Tiranën deri në qershor të vitit 2023, mezi pret të luajë për herë të parë në kompeticionin më të madh të klubeve në botë.

“Të kesh mundësinë për të luajtur në Champions League emocionon çdo lojtar. Titulli e solli këtë mundësi. Të gjithë brenda klubit ishin shumë të lumtur me këtë shans për të luajtur në Ligën e Kampioneve.

Kam kontratë me Tiranën deri në qershor 2023. Shpresoj të qëndroj në klub dhe të luaj për herë të parë në një ndeshje të Champions League”, përfundoi ai.

SEZONI – Devid de Silva erdhi në janar si zëvendësues i Majkëll Ngosë, i cili u dëmtua në dhjetor. Lojtari deri tani ka luajtur 14 takime, 13 prej të cilave titullar.

Në këto ndeshje, De Silva ka shënuar dy gola e ka dhënë një asist. Lojtari nuk ka dhënë aq shumë sa pritej, por gjithsesi ka bërë maksimumin.

Ai ka shënuar ndaj Dinamos dhe Skënderbeut duke i dhënë gjashtë pikë skuadrës. Vlera e kartonit është 275 mijë euro. Tirana ka sulmin më të mirë në Superiore, me Seferin Xhixhën dhe De Silvën që kanë shënuar 31 pikë.

Skuadra bardheblu ka goditur këtë sezon me repartin e avancuar, duke marrë lojtarë që e njohin rrugën e rrjetës. Lojtari nuk është aktivizuar dy ndeshjet e fundit, sepse u dëmtua në sfidën me Laçin.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×