Rindërtimi pas tërmetit/ Si i mbushën xhepat kompanitë e vëllait të Gjicit dhe Qefalias (Investigimi)

Rindertimi Ok

NË SHËNJESTËR/ PJESA E PARË
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe pasojat e mëdha që la pas në njerëz dhe dëme materiale, janë akoma edhe sot një plagë e hapur.

Ku me mijëra qytetarë presin ende me sytë nga qeveria që pas një kalvari të gjatë dhe të mundimshëm, më në fund të kenë një strehë mbi kokë.

Ndërkohë që propaganda qeveritare vazhdon të servirë suksese deri diku edhe imagjinare të rindërtimit nga tërmeti, të cilin e trumbeton si një trofe lufte.

Por ndërsa pushteti nuk kursen asnjë dalje publike për të rritur kredencialet politike me rindërtimin, një aspekt i dyshimtë që lidhet me fondet publike të angazhuara  nga qeveria për ndërtimin e strehëve për qytetarët e mbetur pa banesa nga tërmeti, duket se do të jetë një tjetër njollë e errët e madhe që do të shoqërojë këtë proces.

Ku duket, se përtej tërmetit të madh që tronditi Shqipërinë atë natë të 26 nëntorit 2019, tërmeti tjetër më i rëndë këtë radhë në financat e buxhetit të shtetit, është ai i zhvatjes duke përdorur dhimbjen qytetare, të miliona eurove në emër të rindërtimit dhe nevojës së shpejtë për të strehuar banorët.

Një aspekt i errët që shfaqet dukshëm në çdo tender të akorduar nga qeveria Rama për ‘Rindërtimin’, ku pas siglave të kompanive fshihen emra të afërt të lidhur me maxhorancën qeverisëse.

Por si u shfrytëzua dhimbja që la pas tërmeti për të gostitur me fonde publike në emër të ‘Rindërtimit’, kompanitë pranë pushtetit.

Sipas dokumenteve që siguron ‘Në shënjestër’, vetëm gjatë vitit 2020-2021, qeveria Rama akordoi për ‘Rindërtimin’ rreth 660 milionë euro.

Një tepsi ndjellëse për kompanitë hiena rreth pushtetit, të cilët e panë tërmetin si një tjetër mundësi të artë për të mbushur xhepat e tyre, por edhe një shans brilant që nuk duhet t’u ikte nga duart, për maxhorancën në pushtet, për të ushqyer kompanitë rreth saj në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Zgjedhje të cilat po afronin me një qeveri që kishte konsumuar dy mandate të lodhshme, me skandale të shumta, ku “Rindërtimi” nga tërmeti do i jepte pushtetit një pudër në fytyrën e saj të rraskapitur.

Një shans që assesi nuk mund t’i ikte nga duart maxhorancës, që peshkoi edhe njëherë rreth vetes kompanitë e lidhura ngushtë me pushtetin, ku edhe këtë hera skema ishte e njëjtë.

Okulte dhe e fshehur në nevojën e shpejtë për t’i dhënë hov rindërtimit.

Rast i artë që u shfrytëzua menjëherë pas mbledhjes së Konferencës së Donatorëve, ku Shqipërisë iu ofruan 1.5 miliardë euro nga shtete dhe organizata ndërkombëtare, por që nga kjo shifër, vetëm një shumë e vogël u mundësua të realizohej, çka e detyroi qeverinë Rama të hapte garën me kompani vendore për të realizuar rindërtimin.

Garë e cila në apriori dukej e justifikuar me nevojën për rindërtim, sa kohë emergjenca nga tërmeti ishte e tillë.

Sipas ‘Në shënjestër’ tenderët  në dukje u zhvilluan përmes një gare të rregullt.

Por koha që qeveria u dha kompanive të interesuara për të hyrë në garë ishte shumë e pakët, duke u lënë atyre fare pak ditë afat për të qenë pjesëmarrës në garë.

Një kriter ky që penalizoi më së shumti kompanitë e huaja, të cilat për shkak të kohës së pakët në dispozicion, nuk mundën të plotësonin dot dokumentacionin për të marrë pjesë në prokurim.

Ndërsa të penalizuara mbetën edhe kompani vendase të cilat nuk ishin të përputhshme me pushtetin.

Sipas dokumentacionit ligjor pjesa më e lakmueshme e fondeve për ‘Rindërtimin’ u prokuruan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Një Fond ky që është në lupën e hetimeve edhe për afera të tjera korruptive që tashmë janë në duart e drejtësisë.

Ndërsa të përfshira në prokurim janë edhe 10 bashki të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka miratuar kontrata me vlerë 33.3 miliardë lekë, ose rreth 280 milionë euro.

Nga të cilat deri më tani ky fond ka disbursuar 55 për qind të vlerës ose 18 miliardë lekë.

Por kush janë kompanitë pranë pushtetit që përfituan nga tepsia e ‘Rindërtimit’?

Cila është lidhja e tyre me pushtetin?

Si mundën këto kompani pranë zyrtarëve të Partisë Socialiste të kapin edhe tortën e rindërtimit?

Sipas dokumenteve që siguron ‘Në shënjestër’ kompania lider që ka fituar më së shumti nga torta e ‘Rindërtimit’ është ‘Kevin Construcion’, kompani e themeluar në vitin 2006 nga Safet Gjici, sot kryetar i Bashkisë Kukës i mandatuar nga Partia Socialiste.

Kompani të cilin Gjici, pasi u emërua prefekt ia kaloi në vitin 2014 vëllait të tij.

Është kjo kompani e cila bashkë me tri partnerë të tjerë, të njohur si ‘Riviera 2008’, ‘Mela SHPK’ dhe ‘Pepa Group’, krijuan konsorciumin e tyre.

Konsorcium i udhëhequr nga “Kevin Construktion” që fitoi fillimisht dy tendera me vlerë 3.7 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me qëllim ndërtimin e 1420 banesave individuale në zonat e prekura nga tërmeti.

Por siç e theksuam edhe më lart këto nuk do të ishin tenderët e vetëm që kompania e zyrtarit të lartë socialist do të fitonte nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Fill pas këtyre tenderave fatlumë, kompania në emrin e vëllait të Safet Gjicit, do të krijonte një konsorcium tjetër, duke fituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Shijak, edhe tre tendera të tjerë, duke e çuar vlerën totale në plot 4.7 miliardë lekë,  ose 14 për qind të të gjitha fondeve që Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte për ‘Rindërtimin’, pavarësisht se volumi i punës që do të kishte kompania në emër të familjes Gjici do të ishte e madhe.

Dhe për këtë do të mjaftonin edhe vetëm dy tenderat e parë të dhënë nga Fondi bamirës i Zhvillimit.

Por ajo që e bënte edhe më të dyshimtë fitimin e tenderit prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 16.5 milionë eurosh, nga konsorciumi i drejtuar nga ‘Kevin Construction’ për ndërtimin e 613 banesave, ishte se ky konsorcium doli fitues pavarësisht se nuk kishte dhënë ofertën më të leverdisshme.

Sipas dokumenteve të prokurimit, Konsorciumi ‘Kevin Construction’ i përbërë edhe nga kompanitë ‘Riviera 2008’, “Mela SHPK’ dhe “Pepa Group”, që do merrej edhe me ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre, ofroi 2 miliardë e 4 milionë e 560 mijë lekë, ndërsa bashkimi i operatorëve “G.P.G. Company” dhe “Shendelli” për të njëjtën punë ofroi 1 miliardë e 948 milionë e 500 mijë lekë.

Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë në garë mësohet se dhanë oferta më të larta.

I njëjti dyshim vlen edhe për tenderin e majmë prej rreth 14 milionë euro që Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Shijak i dhanë kompanisë në emër të familjes Gjici, ku vihet re se konsorciumi i drejtuar nga ‘Kevin Contruction’ fitoi sërish, edhe pse oferta që solli në tavolinë nuk ishte më e mira.

Referuar sërish dokumentacionit të prokurimit ‘Kevin Construction’ dhe bashkimi i operatorëve që përbënin këtë konsorcium dha një ofertë prej 1 miliard e 772 milionë e 870 mijë lekë.

Kurse bashkimi i operatorëve “G.P.G. Company” dhe “Shëndelli” për të njëjtën punë ofroi 1 miliard e 732 milionë e 800 mijë lekë.

Pra e thënë ndryshe, me vetëm dy prokurime nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe nga Bashkia Shijak, ‘Kevin Construction’ inkasoi në xhepat e saj, 3.7 miliardë lekë ose 30 milionë euro edhe pse, e theksojmë nuk dha ofertat më të mira.

Por ‘Kevin Construction’ nuk është kompania e parë dhe e vetme e lidhur me zyrtarë apo me familjarë të Partisë Socialiste që shëtiti duart në fondet publike të ‘Rindërtimit’.

Një tjetër kompani që rezulton se u lumturua nga program i rindërtimit është edhe ‘Dajti Park 2007’, kompani e cila është në emër të Lulzim Qefalias, vëllait të deputetit aktual socialist, Xhemal Qefalia.

Edhe kjo kompani pjesë e një konsorciumi siç referon dokumentacioni ligjor, mundi të përfitojë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, tre tendera me vlerë 1.3 miliardë lekë, ose rreth 11 milionë euro me qëllim ndërtimin e njësive të banimit në Bashkinë Vorë dhe në Manzë të Durrësit.

Por në rastin e rindërtimit lista e oborrtarëve të pushtetit nuk kufizohet vetëm te zyrtarët e afërt me ta, por edhe te kompani që rezultojnë klientelë e rregullt me maxhorancën qeverisëse dhe që gjatë këtyre viteve të drejtimit të qeverisë nga socialistët kanë fituar pothuaj çdo tender të mundshëm.

Një nga këto kompani është edhe ‘Salillari’ që rezulton se ka përfituar tendera me vlerë 1.9 miliardë lekë, ose rreth 16 milionë dollarë nga programi i ‘Rindërtimit’.

Jo keq për një kompani të lidhur ngushtë me punët publike dhe ato pranë pushtetit.

Një tjetër kompani që duket se ka mbetur e kënaqur nga pjatanca e pasur e rindërtimit, duket të jetë edhe ‘Gjikuria’.

Edhe kjo një kompani që shfaqet shpesh në reklamat e punëve publike.

Sipas dokumentacionit ligjor ‘Gjikuria’ ka përfituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 2,8 miliardë lekë, ose rreth 23 milionë euro.

Fond i cili do të shfrytëzohet nga ‘Gjikuria’ për ndërtimin e 2 shkollave në Sukth dhe në fshatin Perlat të Durrësit, disa pallateve në Valias të Kamzës si dhe rindërtimin e 148 banesave individuale.

Një tjetër konsorcium i lidhur me pushtetin dhe që ndër vite është shpërblyer për

besnikërinë, është edhe konsorciumi i përbërë nga ‘Ante Group’ dhe “Ferro Beton & Construction Co”.

Konsorcium që ka fituar katër kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 2.2 miliardë lekësh.

Po kështu “Ante Group” po në kuadër të programit të rindërtimit, udhëhoqi edhe bashkimin e operatorëve që fituan 5 kontrata të tjera nga bashkitë me një vlerë totale prej 1.7 miliardë lekësh.

Po ashtu “G.P.G Company” e Paqsor Buzit, edhe ky një ndër kontraktorët e shpeshtë të punëve publike në Shqipëri, fitoi tenderë me vlerë rreth 2.3 miliardë lekë nga programi i ‘Rindërtimit’ si operator i vetëm apo si konsorcium.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×