Pasi u shpall kampion i Kosovës me skuadrën e Ballkanit të drejtuar nga Ilir Daja, fantazisti Nazmi Gripshi mund të shpallë “divorcin” me skuadrën nga Suhareka.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, ish-mesfushori i Teutës dhe i Skënderbeut është pranë transferimit te skuadra e sapo shpallur kampione e Shqipërisë, Tiranës.
24-vjeçari durrsak është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar pasi ka dalë nga akademia e Teutës, më pas duke luajtur me këta të fundit në ekipin e parë dhe pas paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën e durrsakëve veshi edhe fanellën e Skënderbeut nga viti 2017 deri në verën e vitit 2020.
Por nuk është vetëm Gripshi synim i bardhebluve te kampionët e Kosovës. Mësohet se Shehi kërkon të ketë në ekip edhe qendërmbrojtësin Bajram Jashanica, me të cilin dikur ka qenë shok skuadre te Skënderbeu.
Te Tirana janë përfolur edhe emra të tjerë si Zhunior, Krymi, Gurishta, Zyba apo Shehu të cilët kanë kontaktuar me bardheblutë, por deri tani asnjë lojtar nuk ka firmosur kontratë me Tiranën.
Deri tani te bardheblutë është konfirmuar largimi i Erjon Hoxhallarit në drejtim të UTA Urad të Rumanisë.
Arena e Lajmit
