
68-vjeçarit Naim Bajri, i cili u vra mëngjesin e sotëm në Shkodër i kanë vrarë djalin Indrit Bajri 21 vite më parë. Ngjarja ka ndodhur në 21 tetor të 2001, ndërsa për krimin u akuzuan Xhabir Shega, Kujtim Barbullushi dhe Ilmir Hajdari.
Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit.
Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus).
Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë. Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në lidhje me këtë ngjarje Ilmir Hajdari, i njohur me nofkën “Mir Vetlla” është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes se Indrit Bajrit.
Më 28 qershor 2017 Hajdari u plagos rëndë në një atentat me armë zjarri në lagjen “Perash” të Shkodrës.
Pista kryesore ishte ajo e hakmarrjes për vrasjen e Indrit Bajrit, por Hajdari nuk e pranoi asnjëherë akuzën dhe pasi kreu rreth 5 vite burg, u lirua me vendim gjykate.