Bota po kalon një krizë globale, megjithatë UEFA ka vendosur që të rrisë me 21% shpërblimet për federatat e saj anëtare, sipas projektit “HatTrick VI”. Kongresi i 46-të i zakonshëm i UEFA-s ka zhvilluar dje punimet në Vjenë, ku morën pjesë drejtuesit e federatave anëtare.
Në këtë kongres ishin të pranishëm edhe delegacioni shqiptar i udhëhequr nga presidenti Armand Duka, njëherazi edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, si dhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu dhe Anila Basha. Në këtë kongres federata anëtare u informua rreth rritjes së konsiderueshme në programin e solidaritetit dhe zhvillimit të “HatTrick VI”, që është parashikuar të marrë 935 milionë euro në katërvjeçarin e ardhshëm 2024-2028. Kjo nënkupton një rritje prej 21% (160 milionë euro) nga 775 milionë euro që janë në dispozicion të “HatTrick V”, ku çdo federatë anëtare do të ketë mundësi të marrë deri në 17 milionë euro përgjatë 4 viteve.
Programi “HatTrick”, mbështet federatat anëtare të UEFA-s në zbatimin e programeve të edukimit dhe zhvillimit, si iniciativat bazë për vajzat dhe djemtë, programet e përgjegjësisë sociale, edukimin e arbitrave dhe trajnerëve, si edhe financimin në infrastrukturën futbollistike, duke ndihmuar në ndërtimin e fushave, stadiumeve, qendrave të trajnimeve apo ambienteve të ndryshme. Që nga krijimi i saj në vitin 2004, “HatTrick” ka investuar afro 2.5 miliardë euro në futbollin europian. Me këtë ndryshim, i bie që FSHF-ja të ketë një buxhet më të lartë, gjë e cila përkthehet në shtim investimesh në përmirësimin e infrastrukturës dhe strategjive të futbollit shqiptar. Me ndryshimet e reja i bie që nga “HatTrick VI” FSHFja të ketë një shtesë fondi 725 mijë euro në vit, përfitim i cili do të nisë të përfitohet në katërvjeçarin 2024-2028.
FUTBOLLI I FEMRAVE
UEFA prezantoi edhe përditësimin e statusit për zhvillimin e futbollit të femrave, duke vënë theksin në rritjen e jashtëzakonshme, shifrat rekord të frekuentimit, shitjen e numrit të biletave dhe interesi i rritur nga tifozët, sponsorët, televizionet, si në Champions për femra, ashtu edhe në Europianin e ardhshëm për femra që do të zhvillohet në 9 qytete të ndryshme të Anglisë në datat 6-31 korrik 2022.
Delegatët u informuan se ndeshjet e Europianit të femrave këtë verë do të transmetohen në 195 vende përmes 65 transmetuesve televizivë të ndryshëm, për të arritur një audiencë globale mbi 250 milionë njerëz dhe informoi se mbi 396 mijë bileta tashmë janë blerë nga tifozë nga 95 vende.
Arena e Lajmit
