
Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Rrethit çështja penale në ngarkim të të pandehurit Leonard Bashaliu, i akuzuar për vrasjen e Ylber Xhahysës, një vit më parë.
Gazetari Fatmir Popja raporton për BalkanWeb se i pandehuri Leonard Bashaliu është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes dhe është hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Mësohet se autori dhe viktima ishin të njohur dhe miq me njeri-tjetrin dhe 44-vjeçari Xhahysa kishte shkuar mëngjesin e 8 qershorit 2021, pranë banesës së 36-vjeçarit Bashaliu në fshatin Gjoçaj ku dyshohet se ka ndodhur dhe konflikti për motive të dobëta.
Bashaliu e ka qëlluar me pistoletë dhe megjithëse Xhahysa u dërgua në spital nga të afërmit, nuk mundi të mbijetonte.
Por çfarë deklaronte Leonard Bashaliu pas vrasjes së të njohurit të tij Albert Xhahysa?
Ai rrëfeu se nuk donte që ta vriste bashkëfshatarin e tij, por se ai e kishte ofenduar vazhdimisht.
“Kurrë nuk do ta kisha vrarë, por më ka dhunuar dhe fyer vazhdimisht. Kohët e fundit edhe më pati kërcënuar. Ndjehesha i rrezikuar. Më kishte stresuar aq shumë sa nuk kisha më qetësi dhe nuk flija as gjumë. I kisha thënë; “mos më shqetëso”, por ai vazhdonte të ma nxinte jetën. Edhe herën e fundit kur jemi parë në mëngjes rastësisht në lokal ishte ai që më kërcënoi pa i thënë unë asnjë fjalë. U ndjeva i poshtëruar para të njohurve dhe fillova ta urrej deri në atë masë sa vendosa që t’i jap fund kësaj historie torturuese. Dola jashtë dhe një mijë mendime më vinin në kokë. Ika nga lokali dhe mora armën, u ktheva shpejt dhe e qëllova. Fillimisht u ndjeva i lehtësuar, por u pendova shpejt por nuk korrigjohej me ajo që bëra. Ishte e tmerrshme. U kërkoj ndjesë familjarëve të tij”, mësohet të jetë shprehur ai.