Juventusi mbylli pas 1 dekade një sezon pa asnjë trofe dhe diçka e tillë është e papranueshme në Torino. Për një klub si ai që drejtohet prej 99 vitesh nga familja Anjeli është thjesht e pakonceptueshme duke parë edhe investimet që kurrë nuk kanë munguar. Madje, këtë verë përgatitet një tjetër revolucion dhe një tjetër shtim kapitali ndoshta, duke parë 85 milionët e shpenzuara në janar për afrimet e Dushan Vlahoviçit dhe Denis Zakarias.
Pas humbjes me Interin në finalen e Kupës së Italisë, dje ka qenë një ditë reflektimi dhe takimi në klub mes stafit drejtues dhe atij teknik, ku janë vënë edhe piketat për të ardhmen. E para lidhet me saktësimin e listës se cili prej grupit aktual është i denjë për të qenë pjesë e Juventusit, ku emrat pak a shumë mund të kuptohen, duke nisur nga tre portierët apo edhe liderët Bonuçi, De Ligt, Kuadrado, Danilo, Kieza e Vlahoviç.
Ndërkohë, përveç dy lamtumirave të paralajmëruara nga Kielini e Dibala, janë edhe shumë të tjerë që pritet të nxirren në shitje si Rugani, Sandro e Melo, ndërkohë që në mëdyshje dhe në pritje të ofertave janë gjithsesi edhe Pelegrini, MeKeni, Rabio e Ken, ndërsa Alvaro Morata është një rast i veçantë. Juventusi kërkon ta mbajë, por jo ta shlyejë për 35 milionë euro. Gjithsesi, shumë nga këto tema do të preken në javët në vazhdim, por ajo që ka nisur zyrtarisht pas takimit të djeshëm në Torino është sulmi total ndaj Pol Pogbasë.
Për francezin Juventusi i ka bërë dje lojtarit një ofertë zyrtare prej 9 milionë eurosh neto në sezon, për ta rikthyer në Torino. Diçka e tillë duket se po josh shumë edhe “Oktapodin”, duke parë se Reali është ftohur, ndërsa PSG-ja nuk mund të blejë absolutisht pa shitur.
Emra të tjerë për të investuar tashmë njihen, si Milinkoviç-Saviç i Lacios në mesfushë apo edhe Zhorzhinjo i Çelsit. Gjithsesi, shumë të kuptuar janë edhe Di Maria, Zaniolo dhe Emerson. Dhe akoma më tepër se kaq, dje edhe trajneri Masimiliano Alegri ka marrë paralajmërimin nga presidenti Anjeli. Ky i fundit sezonin e ardhshëm jo vetëm duhet të sjellë titullin, por rrezikon që në një tjetër start sezoni të mbrapshtë si ky që po mbyllet rrezikon edhe shkarkimin që në muajt e parë në Torino.
Arena e Lajmit
