
Elon Musk mbajti një video konferencë me punonjësit e Twitter të enjten, ku diskutoi tema si pushimet nga puna, puna në distancë deri te politika dhe alienët, teksa dukej se kishte dyfishuar kapitalin e tij prej 44 miliardë dollarësh për të blerë kompaninë.
I pyetur nëse ai do të shkurtonte vendet e punës në Twitter nëse marrëveshja arrihet, Musk dha një përgjigje aspak të mirë, kur tha:
“Tani për tani, kostot i tejkalojnë të ardhurat. Kjo nuk është një situatë e mirë. Kompania duhet të jetë e shëndetshme”.
Gjatë momentit të pyetjeve dhe përgjigjeve, Musk u tha punonjësve të Twitter se ai ka “politikë të moderuar” por shtoi se pikëpamjet ekstreme politike dhe “gjërat mjaft të egra” duhet të lejohen në faqe për aq kohë sa ato nuk e shkelin ligjin.
Musk përsëriti gjithashtu se ai ishte i gatshëm të mbështesë Guvernatorin Republikan të Floridës Ron DeSantis për president në vitin 2024, raportoi New York Times.
Musk tha se punonjësit më të mirë të Twitter mund të lejohen të punojnë nga shtëpia përgjithmonë, por sipas tij më e mira do ishte të ishin fizikisht në kompani.
“Nëse dikush mund të punojë nga shtëpia dhe është shumë i mirë në punën që bën, nuk do të kishte kuptim që ta pushonim”, tha Musk.
Twitter aktualisht lejon shumicën e punonjësve të punojnë nga distanca aq sa dëshirojnë.
Musk ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj punëtorëve të Tesla-s që punojnë nga shtëpia, duke urdhëruar të gjithë punonjësit të kthehen në zyrë për një minimum prej 40 orësh në javë.
Ai shprehu gjithashtu një vizion për atë që Twitter duhet të jetë në pesë deri në 10 vjet, duke thënë se kompania duhet të “kontribuojë në një qytetërim më të fortë dhe më afatgjatë, ku ne jemi më në gjendje të kuptojmë natyrën e realitetit”.
Kompania aktualisht ka afërsisht 229 milionë përdorues aktivë të përditshëm, megjithëse Musk ka pyetur vazhdimisht se sa prej këtyre përdoruesve janë robotë.
Ai përsëriti shqetësimin e tij për robotët gjatë takimit të së enjtes.
Musk tha gjithashtu se ai nuk është domosdoshmërisht i përkushtuar për të qenë CEO i Twitter, por dëshiron të marrë një rol aktiv duke nxitur përmirësime në produktet e kompanisë, sipas Bloomberg.
Në diskutim e sipër biseda mori një kthesë të çuditshme, duke prekur shkurtimisht te alienët.
“Unë nuk kam parë asnjë provë aktuale për alienët,” tha Musk, sipas Bloomberg.