Procedurat që do të ndjekin tifozët për t’u futur në stadium – Procedura e parë është të tregojnë biletën elektronike dhe me një aparaturë të veçantë, steward-ët do ta çekojnë atë dhe do ta aktivizojnë. Në atë moment, do të aktivizohet edhe numërimi mbrapsht i tyre dhe ata do të mbarojnë kontrollin trupor të tyre dhe do të afrohen te dyert. Koha është e mjaftueshme për t’u ngjitur në katin e dytë dhe tifozët duhet të drejtohen direkt për te Turnstile, ku aktivizohet hapja dhe mund të hyjnë direkt. Në rast se do të kenë vështirësi, do të ketë personel nga UEFA, por edhe vullnetarë, që do t’i ndihmojnë për çdo problem, si edhe për të gjetur vendet e tyre në stadium. E veçanta është se për herë të parë në këtë stadium aktivizohet bileta elektronike. Kjo biletë është aplikuar me sukses gjatë EURO 2020 dhe për këtë arsye, ekspertët e sigurisë së UEFA-s vendosën ta aplikojnë edhe për këtë ndeshje. Me sistemin e ri të biletave elektronike që çdokush do e ketë në telefonin e tij smart, shansi për t’u futur pa biletë është minimizuar ndjeshëm, pasi në momentin që afrohesh te turnstile bileta aktivizohet vetëm me aparaturë të posaçme dhe në rast se bileta mund të jetë screenshot, pajisja nuk e njeh.

Çfarë duhet të ketë dhe çfarë nuk duhet të ketë tifozi me vete ditën e ndeshjes – Një tifoz ditën e ndeshjes duhet të ketë me vete telefonin cellular ku do të ketë biletën e ndeshjes dhe sendet e vogla personale.  Tifozi nuk duhet të ketë çanta të mëdha, nuk duhet të ketë pije, shishe me tapë, objekte të paligjshme që nuk lejohen. Të gjitha gjërat që nuk lejohen janë përgatitur me një broshurë të posaçme nga UEFA në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe italisht dhe u janë shpërndarë tifozerive. Sa u përket flamujve, banderolave dhe sloganeve, grupet e tifozëve duhet të paraqesin kërkesën e tyre te sektori i Sigurisë dhe te policia, që do të miratojnë hyrjen ose jo të tyre.

Masat për sigurinë dhe numri i të përfshirëve në këtë operacion – Ky është një event madhështor, ku operacioni është i madh dhe ka një numër më të madh sigurie se sa jemi mësuar për ndeshjet e tjera. Në plan të parë kemi sigurinë e të gjithë tifozëve, jo vetëm sigurinë e ekipeve, prandaj kemi angazhuar një numër të madh personeli mjekësor, me rreth 50 persona, doktorë dhe infermierë. Do të ketë personel edhe nga kryqi i kuq, nga zjarrëfikësja, nga steward-ët, nga siguria private dhe nga policia e shtetit. Forcat e steward-ëve janë afërsisht 600 dhe policia e shtetit do të ketë një numët të konsiderueshëm, jo vetëm në stadium, por edhe në pikat e grumbullimit të tifozëve, për të siguruar rrugëkalimin e tyre.