Pep Guardiola vazhdon të lëshojë shigjeta në drejtim të ish-lojtarëve të Mançester Junajtidit, Patris Evra dhe Dimitar Berbatov, të cilët vunë në dyshim aftësitë e tij si trajner pas eliminimit në gjysmëfinalet e Championsit nga Reali i Madridit.
Evra e provokoi trajnerin e Sitit duke thënë se ai nuk është i aftë të stërvitë lojtarë me personalitet, ndërsa akuzoi futbollistët se shkojnë në “Etihad” vetëm për para.
Berbatov kritikoi përqendrimin e skuadrës së tij në “Bernabeu”, ndërsa Klarens Sedorf vuri në dyshim filozofinë e katalanasit.
Por në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Uest Hemin të dielën, Pep reagoi duke u kujtuar dy ish-futbollistëve humbjen e tyre në finalen e Champions-it 2009 (Barcelona-Junajtid 2-0), por edhe finalen e 2011-ës (Barcelona-Junajtid 3-1).
“Ti nuk ke personalitet sepse pëson dy gola në 1 minutë pasi kishe shanse për të shënuar? Dhe pas katër ndeshjeve të fundit ku kemi shënuar 19 gola kemi personalitet të pabesueshëm?
Më vjen keq, por nuk jam aspak dakord. Të njëjtin karakter dhe personalitet që humbëm në Madrid është ai që kem pasur këto vitet e fundit. Ishlojtarë specialistë si Berbatov, Sedorf dhe Evra, këta tipa nuk ishin atje.
Unë kam luajtur kundër tyre dhe nuk e kam parë këtë personalitet kur ne e shkatërruam Junajtidin në finalen e Champions-it. Personaliteti është ajo çfarë kemi bërë në 5 vitet e fundit dhe çdo tri ditë në të gjitha kompeticionet.
Ndoshta Liverpuli mund t’i fitojë të katër trofetë ose ndoshta vetëm 1, por unë nuk do të them se ata nuk kanë personalitet dhe karakter.
Çfarë do të thoni ju, që ata nuk bënë një sezon të pabesueshëm edhe nëse humbasin titullin me 1 apo 2 pikë nga ne? Ne mbërrijmë deri në fund sepse luajmë mirë, përndryshe nuk do të ndodhte. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha Guardiola.
Arena e Lajmit

Loading…