
Me dënimin e një prej personave të përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malkos, ku Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg, BalkanWeb risjell në vëmendje krimin që tronditi Tiranën.
Ngjarja ndodhi më 27 gusht 2019. Vetëm pak ditë më vonë u publikuan pamjet ku shihej se si ish-polici ishte ndjekur nga atentatorët, pak sekonda para ekzekutimit. 26-vjeçari u qëllua me breshëri nga xhami i pasëm i një Mercedes-Benz, që e ndiqte në rrugën e Porcelanit. Ekzekutori më pas u largua me një mjet tip Wolkswagen.
Autorët që ekzekutuan Santiago Malkon e ndiqnin nga një distancë shumë e afërt makinën e tij në momentet para atentatit. Siç duket edhe në pamje, ish-efektivi i policisë lëviz në rrugën e Porcelanit me automjetin e tij, BMW X5 ngjyrë e zezë. Vetëm 4 sekonda më pas, ndodhet makina Wolkswagen tip Golf e bashkëpunëtorëve në krim që e ndjek pas. Automjeti nga ku u qëllua për vdekje është pikërisht ky, Mercedes-Benz i zi i tip CSL. Ish-polici Malko ul shpejtësinë pasi ishte duke folur në telefon. Ai ndalon një zonë të ndriçuar pranë një lavazhi ku ka edhe bar-kafe, duke mos vënë re se ndiqej nga dy automjete njëkohësisht.
Njëri nga atentatorët ul xhamin e pasëm të makinës dhe qëllon me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend. Siç duket në video, ekzekutimi i 26-vjeçarit krijoi panik te qytetarët e shumtë që ishin ato momente pranë vendit të krimit. Fill pas ngjarjes ata u larguan menjëherë të frikësuar, duke hyrë në një nga lokalet në zonë. Nga këqyrja e pamjeve filmike në rrugën “Xhafize Keko”, rezultoi se, pas krimit një person zbret nga dera e pasme e makinës Mercedes-Benz dhe hipën të automjeti tip Golf. Gjurmët e ndjekjes humbin në drejtim të Tufinës, ndërsa automjeti i zi tip Mecedes u gjet i shkrumbuar në fshatin Ferraj, vetëm 20 minuta larg vendngjarjes.
Arena e Lajmit