Në nderim dhe përkujtim të një figure të shquar si Muhamet Malo, në datat 12-15 maj, Tirana priti aktivitetin ndërkombëtar të mundjes. Edicioni i dytë i turneut “Muhamet Malo” kishte pjesëmarrje edhe më të gjerë, teksa pa të zbrisnin në tapet 92 mundës nga shtete si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Britania, Azerbajxhani, Britania, Rumania apo Malta, të cilët garuan në stilin greko-roman dhe atë të lirë.

Eventi i organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes në bashkëpunim me djalin e të ndjerit Muhamet Malo, Klajdi, i cili është president nderi në FSHM, dhuroi duele interesante dhe me shumë rivalitet, duke i argëtuar të pranishmit që i ndoqën nga afër në sallën “Feti Borova”. Dita e parë u përkiste mundësve të stilit greko-roman, teksa çdo skuadër mori pjesë me sportistë në peshat përkatëse. Kampione në rang ekipor në këtë stil u shpall Italia me 180 pikë, ndjekur nga Bullgaria me 170 pikë, ndërsa Shqipëria plotësoi podiumin, duke u klasifikuar në vend të tretë në kuotën e 147 pikëve.
Sportisti më i mirë i stilit greko-roman u shpall bullgari Aik Mnatsakanian, i cili konkurroi në kategorinë e peshave 77 kg. Më tej ishte radha e dueleve në stilin e lirë, disiplinë që u dominua nga Shqipëria. Kuqezinjtë e mundjes së lirë koleksionuan 175 pikë në rang ekipor, duke zënë vendin e parë. Vendi i dytë shkoi për Italinë me 125 pikë, ndërsa e treta u rendit Britania e Madhe me 70 pikë.
Titulli i sportistit më të mirë u fitua nga Zelimkhan Abakarov i peshës 65 kg, i cili garon për flamurin shqiptar. Gjithashtu, shkëlqyen edhe mundësit e tjerë kuqezinj si Islam Dudaev, Elmaz Kryeziu, Osman Hajdari dhe Emiljano Onuzi, të cilët u shpallën kampionë në peshat e tyre.

Gjatë ceremonisë se aktivitetit, presidenti i FSHM-së, Sahit Prizreni, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Më pas, Klajdi Malo, duke u uruar suksese sportistëve, falënderoi të gjithë ata të cilët bënë të mundur këtë aktivitet dhe premtoi se do ta çojë përpara nismën e babait të tij. Kështu, mundja shqiptare dhe ndërkombëtare vijon të nderojë një prej figurave më të shquara dhe kontribuuesve më të mëdhenj të këtij sporti, Muhamet Malo.
Arena e Lajmit
Loading…
and then