
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë sot në një deklaratë për mediat për çështjen e detit. Ai tha se edhe pse e ka autorizuar kryeministrin që të udhëheqë negociatat nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri. Meta deklaroi se kryeministri dhe qeveria nuk kanë qenë transparent as me publikun as me Presidentin
“Përpos detyrave të tjera, sipas autorizimit të Presidentit të Republikës, vetëm Grupi Negociator është autoriteti publik i mandatuar për të negociuar me palën greke dhe vetëm përsa është përcaktuar në tragrat e dhëna në këtë Autorizim.
Midis dy grupeve negociatore përgjatë periudhës prill-qershor 2018, janë zhvilluar tre raunde të negociatave ( 30 prill, 14-15 maj, dhe 22 qershor 2018).
Presidenti i Republikës pasi është informuar mbi mënyrën e zhvillimit të këtyre negociatave, ka konstatuar dhe është vënë në dijeni mbi disa problematika dhe shqetësime serioze”, tha Meta.
Sipas tij, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, në datën 13 qershor 2018, është realizuar një takim.
“Në këtë takim u dakordësua që Kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do të paraqiste një kërkesë të re përpara Presidentit për t`u pajisur me Autorizimin e nevojshëm për t`i drejtuar ai personalisht (Kryeministri) negociatat.
Presidenti i Republikës, duke konstatuar se Kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve të ndërmarra, dhe nuk por ndërmerrte asnjë hap në këtë drejtim, me shkresë nr.327/9 prot., datë 21.09.2018, përpos të tjerave, rikërkoi ndërhyrjen e Kryeministrit të vendit pa vonesë, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vet Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi, në ushtrim të drejtpërdrejtë të vullnetit politik, në të drejtën që ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e vendit”, the Kreu i Shtetit.
Ai theksoi se sërish nga Kryeministri nuk pati reagim në këtë drejtim. “Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit.
Në mungesë të reagimit dhe vullnetit institucional të Kryeministrit për këtë çështje, pra pajisjen me Autorizim për të negociuar, Presidenti i Republikës, duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme sërish me shkresë nr.327/11, datë 20.11.2018, i rikërkoi Kryeministrit ndërhyrjen e tij, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vetë Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi. Edhe për këtë kërkesë të Presidentit nuk pati asnjë reagim dhe Kryeministri nuk parashtroi asnjë kërkesë për Autorizim.
Nga Kryeministri i cili për periudhën shkurt 2019 – janar 2021 mbajti njëkohësisht dhe detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim dhe asnjë informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analiza që ai (Kryeministri) ka ndërmarrë mbi kërkesat zyrtare të Presidentit”, u shpreh Meta.
Presidenti deklaroi se ndërkohë që Kryeministri përgjatë gjithë kësaj periudhë që mbante dhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, përmes statuseve publike, ka komentuar apo ka dhënë opinione pohuese të tij lidhur me zhvillime ligjore në shtetin grek, për çështje të zgjerimit të ujrave të tyre territoriale.
“Këto qëndrime të Kryeministrit, janë vlerësuar dhe cituar edhe nga autoritetet më të larta greke.
Edhe pse kjo çështje paraqet një interes jashtëzakonisht të lartë, Kryeministri/Qeveria jo vetëm me opinionin publik, por dhe me Presidentin e Republikës, nuk ka qënë transparent, dhe asnjë kërkese të Presidentit për informacion nuk i është sjellë një përgjigje shteruese dhe serioze nga ana Kryeministrit dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ndërkohë që, për Republikën e Shqipërisë, është në fuqi Autorizimi i Presidentit të Republikës Nr.933, datë 19.03.2018 dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndryshimin, plotësimin, shtimin apo kryesimin e tij, edhe pse 3 anëtarë të Grupit Negociator të Shqipërisë janë larguar nga funksionet bazë për shkak të ushtrimit të të cilëve ata u mandatuan për të qenë pjesë e grupit negociator.
Presidenti i Republikës nuk është në dijeni nëse midis dy Qeverive apo Kryeministrave është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat.
Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti nuk është informuar zyrtarisht nga Qeveria se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje”, deklaroi Meta.