Deklarata e Dendias për marrëveshjen e detit, Presidenti Meta: Edhe pas datës 24 korrik, jam i hapur…

Metaaaa 2

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, pas vizitës së këtij të fundit në vendit tonë pak ditë më parë.

Presidenti Meta u shpreh se nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për autorizim për nisjen e negociatave nga kryeministri Edi Rama, për çështjen e detit. Meta theksoi se edhe pas datës 24 korrik është i hapur te bashkëpunojë me Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa beri thirrje qe deklaratat për këtë çështje nga zyrtaret shqiptare të bëhen me maturi.

Deklarata e Metës:

Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët ende zyrtarisht janë në negociata.

Zyrtarët e Republikës së Shqipërisë, duhet të veprojnë me shumë maturi e përgjegjshmëri, pasi çdo dakordësi apo mirëkuptim politik, apo diplomatik i dhënë nga Qeveria shqiptare/Kryeministri, qoftë dhe parimisht, në takime të zhvilluara jashtë kontekstit ligjor negociator të kësaj çështje, apo çdo lloj qasje publike përmes deklaratave/statuseve, janë rekorde të forta, që krijojnë pasoja dhe që mbeten tërësisht nën përgjegjësinë individuale të personave që i kanë shprehur ato, por që nga ana tjetër rrezikojnë të përdoren në të adhmen në dëm të pozitës negociatore të Shqipërisë, në dëm të interesave interesave të saj të ligjshme, në procesin negociator apo në procese të tjera që mund të ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së delimitimit të zonave detare mes dy vendeve tona.

Sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, i përket popullit shqiptar, i cili për këto çështje e ushtron atë përmes përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të cilin Qeveria qartësisht e ka shmangur në këtë proces gjithashtu, sipas dijenisë tonë.

Presidenti i Republikës, vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë, duhet të informohet, të analizojë dhe vendosë mbi mënyrën e veprimit që do të duhet të ndjekë Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj çështje.

Vetëm kështu çdo lloj zgjidhje e saj, do të gëzojë mbështetje të plotë të të gjithëve por dhe besimin e opinionit publik dhe popullit shqiptar.

Kushtetuta, aktet ndërkombëtare të nënshkruara ndër shekuj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese 15/2010, janë akte në fuqi, të pacenuara dhe që përcaktojnë qartë si territorin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, mënyrën e veprimit në çështje të kësaj natyre dhe çdo autoritet shtetëror ekzekutiv, legjislativ, apo gjyqësor, duhet të veprojë në përputhje me parimet, vlerat dhe detyrimet që përcaktohen në to.

Çështja e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve, e cila në vlerësim të Presidentit të Republikës, duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010 dhe të drejtën ndërkombëtare, në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë, në interes të plotë të ruajtjes dhe të ushtrimit të sovraniteit territorial dhe juridiksionit kombëtar, dhe për të garantuar sa më mirë sigurinë, dobinë ekonomike e sociale të vendit.

Duke shprehur mirëkuptimin për ndjeshmërinë e lartë të popullit shqiptar, për çështje të kësaj natyre, Presidenti i Republikës, rithekson edhe një herë se, jo vetëm deri në 24 korrik 2022, datë kur përfundon mandati Presidencial, por edhe pas kësaj date dhe në vijimësi do të jetë i hapur të bashkëpunojë në mënyrë transparente dhe konstruktive, në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, me Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër të përfshirë në këtë proces.

 

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×