
Emisioni në “Shënjestër” me gazetaren Klodiana Lala, ka sjell sot në vëmendje ngjarjes e fundit kriminale që kanë tronditur jo pak opinionin publik, duke iu referuar vrasjes rreth një muaji më parë të Iljas Çalit, apo dhe vrasjes pak ditë më parë të Aleksandër Sadikajt.
Gazetari Armand Bajrami, i ftuar në studio, u shpreh se deri më tani lidhur me ekzekutimin e Çalit, Prokuroria nuk ka mundur të ketë asnjë person të dyshuar.
“Megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj nga ekzekutimi, prokuroria e Tiranës nuk është pranë një emri konkret të një të dyshuari. Pistat janë për konfliktet me kromin si dhe një borxh i dyshuar me një nga personat që kishte të bënte, biznesmen kromi, dhe e shkruara e tij, marrëdhënie me persona nga bota e krimit.
Deri në këto momente nuk është arritur të shkohet as pranë një personi të dyshuar, referuar edhe dinamikës së ngjarjes, ku viktima ishte në lëvizje me automjet. Nga burime pranë prokurorisë kam mësuar se ndonëse ekziston një kamera në afërsi të vendngjarjes, shquhet që automjeti është autoveturë, por pa mundur më pas, ndonëse janë marrë disa kamera të tjera në zonë, nuk është konkludua në identifikim më të saktë. Nga ana tjetër, personat që u janë marrë dëshmitë, më shumë se 30 vetë u janë marrë deklarime, nuk është mundur të ngrihen dyshime që prokuroria të drejtojë gishtin. Jo rezultative kanë rezultuar dhe përgjimet që prokuroria ka bërë”.
Nga ana tjetër, ish-prokurori Eugen Beçi tha se sezoni turisti përkon gjithnjë me aktivitet të shtuar kriminal.
“Të gjitha këto ngjarje kur vijnë në një hark kohor të shkurtër krijojnë tronditje të rëndit dhe sigurisë për opinionin publik. Në të gjitha këto ngjarje kemi të bëjmë me persona që kanë lidhje me botën e krimit, dhe kjo e vështirëson më tepër identifikimin e autorëve.
Por jemi në një periudhë kohore e cila përkon me sezonin e verës, sezonin turistik, dhe përgjithësisht jo vetëm për arsyet psikologjike, por dhe për arsye gjeopolitike, gjerostrategjike dhe të lëvizjes së grupeve kriminale, sigurisht që do jemi në një periudhë të ngarkuar me ngjarje kriminale të cilat vijnë dhe pas një kohe pandemia, dhe shpesh herë në grupet kriminale ka lënë hesape pa larë dhe do të lahen dhe tani.
Historikisht në Shqipëri sezonet e verës dhe para verës, ose para festave, janë të ngarkuara me ngjarje kriminale, prandaj forca zbuluese e policisë duhet të jetë më e lartë për të bërë të mundur parandalimin e disa ngjarjeve”, tha ai.