
Festivali muzikor “Sunny Hill” do të zhvillohet në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.
Këtë e ka përë të ditur kryebashkiaku i kryeqytetit të Kosovës, Përparim Rama me anë të një postimi në rrjete sociale.
Ai bën me dije se festivali do ketë kapacitet të kufizuar për pjesëmarrësit për shkak të kufizimeve të hapësirës në këtë park.
Gjithashtu, Rama thotë se hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim, do të përdoret me kujdes nga organizatorët, të cilët gjithashtu do të kujdesen për pastrimin dhe rigjenerimin.
Postimi i Përparim Ramës:
Deklaratë e përbashkët mes Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë e linjës në Qeverinë e Republikës së Kosovës janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme.
Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali.
Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.