EKSKLUZIVE/ “Kukësi gaboi në merkato”, Gjoka: Pati shumë polemika dhe rrëmujë, por Gjici…

Ernest Gjoka është trajneri i parë dhe i fundit për momentin që ka fituar një titull kampion me Kukësin. Këtë sezon në drejtimin e Diego Longos, u mendua se verilindorët mund të përsërisnin sezonin 2016-2017, por u “shfrynë” rrugës, aq sa tani rrezikojnë edhe pjesëmarrjen në Europë.

ernest gjoka

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjoka analizon ecurinë e Kukësit, duke i parë problemet te merkatoja e gabuar në janar, por edhe polemikat që nuk i kanë munguar këtij sezoni. 52-vjeçari analizon edhe Superioren në tërësi, teksa e priste dominimin e Tiranës, por shpresonte te rivaliteti i Laçit me Vllazninë, të cilët janë në finalen e Kupës. Në fund, trajneri ka edhe dy fjalë për Skënderbeun dhe Dinamon që zbritën nga Superiorja.

Ernest, si e keni parë ish-skuadrën tuaj, Kukësin, me të cilën u shpallët kampionë dhe fituat gjithashtu Kupën dhe Superkupën?

U mendua që ekipi i këtij viti ishte një Kukës i ri, sepse u formatua i gjithi nga fillimi. Ishte një Kukës që në fillim po na pëlqente për atë që po prodhonte, por gradualisht nuk pati më hapa përpara.

Ngeli në vendnumëro dhe ndoshta skuadra nuk bëri merkaton e duhur në dhjetor për të parë më mirë në vazhdimësi dhe për të dhënë goditjen përfundimtare.

Deri në dhjetor ishte një Kukës që bënte një futboll të rrjedhshëm, ku besonte shumë. Unë mendoj se Kukësi është ndërtuar si një skuadër e fortë, me forcë fizike dhe shumë taktike. Këtë vit ka pësuar shumë gola, aq sa ka qenë një rast i rrallë.

Ku mendoni se u gabua që skuadra pësoi një ndryshim drastik pas janarit?

Mendoj që në merkaton e janarit skuadra nuk bëri blerjet e duhura dhe në mbrojtje kanë pasur gjithnjë probleme. Një ekip i lehtë, i brishtë në prapavijë dhe që pëson shumë. Përveç kësaj edhe shumë polemika në gjithçka. Kukësi nuk është mësuar me kaq shumë polemika dhe ka qenë shumë më i qetë, si një bunker ku nuk merr dhe nxjerr gjë në pazar. E ka pasur në kulturën e vetë, që nga presidenti dhe stafi që kanë punuar ndër vite.

Asnjë problem nuk dilte dhe nuk kishte debate të mëdha me mediat si tani. Kjo ndoshta bëri që skuadra të çoroditet pak, debate, rrëmujë. Debat me gazetarët, debat me të tjerë dhe ndoshta mosnjohja e thellë e kampionatit, mospasja e eksperiencës për të bërë një ekip elitar, sepse Kukësi është mësuar të jetë elitar dhe duam apo jo është një nga ekipet faktor të kampionatit shqiptar.

Sa shanse mendoni se kanë për të arritur Europën?

Shansin e kishte në dorën e vet, por prej shumë javësh nuk gjente fitoren dhe mendoj që e ka shansin në këmbët e ekipeve të tjera. Sidomos nëse Kupën e fiton Laçi…

Si e shihni besimin e presidentit ndaj trajnerit Longo dhe a mendoni se me një shqiptar do të ishte kaq i durueshëm?

Nuk do të kishte rëndësi nëse do të ishte trajner shqiptar apo i huaj. Tashmë çdo gjë vjen me përvojë dhe presidenti Gjici i ka dhënë kohën e duhur një trajneri për të dhënë maksimumin. Vetë presidenti e ka shumë të qartë që duhet të paktën një vit që një skuadër e cila fillon nga fillimi të marrë produktin. Unë nuk mendoj se ka lidhje me trajner të huaj apo shqiptar, sepse në fund të fundit e dinë të gjithë se cilët janë fituesit në futbollin shqiptar, shqiptarët apo të huajt. Unë mendoj që ka të bëjë vetëm me eksperiencën dhe për mua ka bërë shumë mirë që i ka dhënë mundësinë një trajneri që mori një ekip dhe e ndërtoi nga zeroja.

Një këshillë për sezonin e ardhshëm, çfarë duhet të bëjë skuadra?

Çdo gjë në klub varet nga objektivat që ka presidenti. Nëse ato do të jenë madhore, atëherë duhet të nisë dhe të ndërtojë një skuadër për trofe. Nëse nuk janë për trofe, atëherë duhet të vazhdojnë me këtë skuadër për të arritur një objektiv tjetër. Varet se çfarë plani ka dhe nuk e di, sepse nuk jam i brendshëm.

Ndalemi pak te situata në Superiore. Tirana ka siguruar titullin, e prisnit?

Sigurisht që e prisja, sepse shihja cilësinë që kishte brenda Tirana, që bënte diferencën në kampionat. Nuk e mendoja këtë shkëputje kaq të madhe dhe kisha besim te Laçi dhe Vllaznia, të cilat do t’i kishte rivalet kryesore të saj. Nga ana tjetër, Partizani me startin e kampionatit të dobët, doli nga lufta për titull. E prisja dominimin e Tiranës, por jo kaq të madh.

Skënderbeu dhe Dinamo zbritën nga elita. Çfarë mendoni se nuk shkoi?

Sa i përket Skënderbeut, nuk mund të menaxhosh dot një skuadër kur dihet që e ke derën e Europës të mbyllur. Një nga problemet kryesore të futbollit shqiptar dhe që ka motivim, është Europa, sepse ne aty shohim trampolinën dhe të ardhmen e të gjithë futbollistëve.

Për Dinamon nuk di se çfarë të them, sepse është një rast që duhet ta kërkojnë te vetja ndoshta, riorganizimi. Nga jashtë kam parë që me lojtarët që kanë pasur, nuk mund të binin nga kategoria. Ndoshta nuk ishin për titull kampion, por jo të rrëzoheshin.

Cila ka qenë surpriza më e bukur e këtij sezoni sipas jush?

Deri diku ka qenë Kukësi, por deri në gjysmën e parë të sezonit. Më pas, në gjysmën e dytë të sezonit erdhi Partizani, që bëri një punë të mirë edhe ka siguruar në njëfarë mënyre edhe Europën.

Laçi dhe Vllaznia diskutojnë Kupën, si e shihni këtë përballje?

Në finale nuk ka favoritë dhe ato janë 50 me 50. Të dyja kanë cilësi dhe mendoj se do të jetë luftë pankine, në këto raste është përvoja dhe eksperienca e trajnerëve që mund të vendosë. Pra, do të jetë një luftë taktike midis trajnerëve, sepse ata do ta drejtojnë finalen.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×