Zyle gati për sfidën me verdhezinjtë e Borusias: Në Dortmund, për të shkurorëzuar Bajernin!

Pas pesë vitesh shumë të suksesshme te Bajerni, Niklas Zyle do të largohet nga kampionët në verë dhe do të transferohet te rivalët e Dortmundit si lojtar i lirë.

zyle 2

Qendërmbrojtësi 26-vjeçar tani ka komentuar për herë të parë lëvizjen, aspiratat e tij dhe kohën e tij në Mynih.

Në një intervistë për ‘Sportbild’, mbrojtësi gjerman e ka bërë të qartë gjithashtu se do të sfidojë Bajernin për titullin e Bundesligës. Në fillim dhe së fundmi, mbrojtësi ishte në qendër të vëmendjes së medieve pas mungesës së tij nga skuadra kundër Volfsburgut.

Edhe pse kishte rënë dakord paraprakisht me Julian Nagelsmanin që Zyle të mos ishte më pjesë e planeve të tij, trajneri e thirri mbrojtësin pasi Marsel Zabicer u dëmtua. Mbrojtësi komentoi thashethemet e përhapura nga mediet gjermane për zgjedhjen e tij.

“Të enjten e kaluar, Julian Nagelsman më pyeti nëse do të ishte mirë po të mos isha në skuadër kundër Volfsburgut. Ai donte të shpërblente lojtarët e rinj që janë në skuadër sezonin e ardhshëm dhe t’i linte të luanin. Kështu që nuk kishte vend për mua në skuadër.

E pranova sepse e kuptova vendimin. Pra, ishte një vendim i stafit stërvitor, i cili për arsye të kuptueshme nuk më donte në skuadër. Të premten, kur Marcel Sabicer u dëmtua, një nga ndihmësit tanë tha se mund të vija nëse doja, por kjo ishte gjithashtu në rregull nëse nuk e bëja. Kjo ishte historia”.

KARRIERA TE BAJERNI

Niklas Zyle luajti 170 ndeshje për Bajernin që nga ardhja e tij në sezonin 2017-’18. Mbrojtësi duhej të përballej me një sërë ulje-ngritjesh në karrierën e tij pasi pësoi një dëmtim afatgjatë në gju, që e mbajti jashtë fushës nga tetori 2019 deri në gusht 2020.

Megjithatë, Zyle është krenar që ka arritur shumë me Bajernin dhe thekson se jo shumë njerëz në klub e kanë mbështetur atë në momentet e tij të këqija.

Atij i vjen keq për kohën kur nuk mundi të ndihmonte ekipin për shkak të lëndimeve të tij.

“Mendoj se isha në gjendje të tregoja se me 14 tituj mund të luaja rolin tim në historinë e suksesshme te Bajerni. Kur shikojmë tablonë e përgjithshme, nuk duhet të harrojmë momentet e vështira:

Unë hyra në finalen e Champions Ligës kundër PSG-së në minutën e 25-të pas një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar. Hansi Flik besoi tek unë. Nuk e ndjeva atë besim në të gjitha nivelet në klub. Nuk e ndjeva këtë nga drejtuesit e klubit. Në atë kohë, thjesht vura re se më mungonte vlerësimi dhe se doja të bëja diçka të re”.

“Ajo që më lëndoi vërtet ishte humbja e fazës vendimtare të sezonit për shkak të një muskuli të këputur dhe gripit. Unë luftova për t’u kthyer në ekip nën Julian Nagelsmanit, isha një lojtar absolut i rregullt dhe më pas e humba atë. Askush nuk ma kthen këtë herë dëshirën të cilën doja shumë ta përjetoja.

Ndoshta mund ta kisha ndihmuar skuadrën të bënte më mirë se çerekfinalet në Ligën e Kampionëve. Kjo më mbajti shumë të zënë për ditë të tëra”. Si lojtar i ri i Borusia Dortmundit, Zyle duhet të aspirojë për qëllime të mëdha dhe për t’i arritur ato duhet të japë më të mirën.

TITULLI ME DORTMUNDIN

Gjermani pretendon se do të bëjnë gjithçka për të rrëzuar nga froni Bajernin nga vendi i parë. “Në momentin që mbajta trofeun e Bundesligës në duart e mia, disa nga lojtarët nga pas thirrën:

“Niki, ky është i fundit për ty!” Dhe unë u përgjigja: “Do të shohim”. Bajerni ka bërë një punë të madhe gjatë dhjetë viteve të fundit dhe e meriton të jetë kampion. Tani po shkoj te një klub që dëshiron të bëjë gjithçka për t’u siguruar që Bajerni të mos fitojë kampionatin për herë të 11-të. Kur ulesh dhe flet me ata të Dortmundit, të emocionon.

Të paktën kështu u ndjeva unë. Ajo që BVB planifikon të bëjë në katër vitet e ardhshme, për të cilën kam nënshkruar, më bëri përshtypje menjëherë.

Dortmundi dëshiron të bëjë hapin tjetër dhe kjo është pikërisht ajo që dua edhe unë. Këto janë qëllime madhore dhe unë duhet të jem përgjegjës për zbatimin e tyre. Kjo bisedë nuk ishte për para për asnjë sekondë. E kuptova shpejt se çfarë doja të bëja”.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×