Pep Guardiola e di shumë mirë se në ndeshjen e fundit më shumë rëndësi ka të bësh psikologun me lojtarët sesa trajnerin dhe pikërisht këtë përpiqet të bëjë në konferencën e fundit për shtyp përpara ndeshjes me Aston Vilën. Siti e di që duhet të fitojë sot në “Etihad” për ta pasur të sigurt titullin përpara Liverpulit, që pret Uolvesin në të njëjtën orë.
“U kam thënë lojtarëve se është vetëm një ndeshje futbolli. Mos mendoni se sa të lumtur apo trishtuar do të jemi, vetëm përqendrohuni në atë që duhet të bëjmë për të mundur Aston Vilën. Të kemi një titull më shumë apo më pak nuk është e rëndësishme.
Është thjesht një ndeshje futbolli. Kam ndjesinë se do t’i bëjmë gjërat shumë mirë. Ne nuk kemi qenë këtu shumë herë gjatë historisë tonë, por duhet të jemi në ankth dhe nervozë?
Në asnjë mënyrë. Thjesht duhet të provojmë ta shijojmë dhe vuajmë momentin”.
Por ai pranon se lojtarët e tij mund ta ndiejnë nervozizmin dhe për këtë ka zgjedhur që të mos bëjë mbledhje përpara ndeshjes përpara së dielës:
“Është e vështirë të kontrollosh emocionet. Ata janë njerëz dhe ka një ankth se çfarë do të ndodhë nëse Aston Vila shënon. Duhet të mësohemi se mund të ndodhë diçka e pakëndshme, por duhet të reagojmë sa më mirë që të jetë e mundur. Në futboll nuk përfundon asgjë deri në vërshëllimën e arbitrit.
Nuk duhet të dorëzohesh dhe duhet të bësh atë që ke bërë në muajt e fundit. Ajo që kemi planifikuar është thjesht një ndeshje futbolli, asgjë ndryshe. Të gjithë do të jenë në shtëpi përpara ndeshjes me familjet e tyre. Po e përgatisim ndeshjen për ta fituar dhe do të përpiqemi të zbatojmë planin tonë. Asgjë më shumë se kaq.
Ne mund të bëjmë sa të duam teori, por është thjesht një ndeshje futbolli me 11 lojtarë dhe një trajner të mirë, i cili do të përpiqet të na mundë”
Arena e Lajmit

Loading…