
Investitorët e huaj e shohin korrupsionin si pengesën kryesore për të bërë biznes në Shqipëri. Bizneset e anëtarësuara në shoqatën e investitorëve të huaj në një pyetësor për klimën e biznesit kanë shprehur shqetësimet për korrupsionin dhe burokracitë, të cilat vijojnë të jenë të larta.
“Niveli i burokracisë, me të cilën përballet biznesi, dhe këtu kemi pak arritje nga 36 në 38, vijon të mbetet problematikë për bizneset. Niveli i korrupsionit edhe këtu ka një rritje, edhe pse të ulët nga 33 në 36. Të gjithë këto elementë janë shumë të rëndësishme për kompanitë dhe investimet”, thotë Marinela Jazo.
Edhe mungesa e gjyqtarëve, për shkak të procesit të vettingut, ka sjellë probleme tek investitorët e huaj.
“Sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe ndikimi që ai ka te biznesi është e fundit me rënie 33 %, pra nga anëtarët tanë nga diskutimet si dhe kompanitë e tjera në Shqipëri, gjetja jonë është që sistemi gjyqësor në Shqipëri vijon të mbetet problematikë jo vetëm nga pandemia, por edhe procesi i vettingut, ne e dimë që ka një mungesë gjyqtarësh personeli dhe kjo do të thotë që ka raste që ka një çështje dhe ky është një problem madhorë”, shprehet më tej Jazo.
Por, investitorët e huaj shohin si problematikë edhe mungesën e punonjësve të kualifikuar, për shkak të emigrimit.
“Sa i përket tregut të punës ne e dimë që në përgjithësi ka mungesë të personave të kualifikuar dhe kompanitë kanë problem për të gjetur personat e duhur, sepse profesionistët shqiptarë po emigrojnë dhe e shikojmë që qasja te puna e kualifikuar dhe me aftësi është 38, nuk është e favorshme, që do të thotë është problematike për të gjetur persona të kualifikuar, por në përgjithësi personat që largohen vetë nga puna është nga asnjanëse në të favorshme, pra situata është e mirë, por pritshmëria nuk është fortë e mirë dhe kjo tregon lidhjen që ekziston mes personave të kualifikuar dhe kërkesës për të punuar jashtë”, shton Marinela Jazo.
Investitorët e huaj kërkuan informacion për amnistinë fiskale, ndërsa ministrja e Financave tha se amnistia nuk është vetëm fiskale, por edhe penale.
“Ju thoni që Shqipëria ka krah pune të lirë por njëkohësisht edhe produktivitet të ulët..çfare po ndodh me amnistinë fiskale?”, tha Presidenti i FIAA, Alessandro D’Oria.
“Ne po e ripropozojmë amnistinë .Një nga problemet e ekonomisë sonë mbetet informaliteti sidomos në biznese dhe ne po i trajtojmë. Po ashtu ka edhe shumë para Cash që ndikojnë në informalitet dhe që nga 90 nuk ka pasur ndonjë nismë të tillë dhe ne synojmë që të bëjmë një amnisti për paratë cash…Synojmë një vit 0 por është edhe situata e vështirë për të gjetur financime dhe kjo na shtyn për një ligj të tillë. Jemi munduar të krijojmë instrumentet e duhura për të gjurmuar informalitetin, i cili mund të bëhet”, u përgjigj ministrja Delina Ibrahimaj.
Më herët edhe bizneset e dhomës amerikane dhe gjermane shprehën shqetësime për klimën e keqe të të bërit biznes në Shqipëri.
Arena e Lajmit