
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nga shkurti i vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i Urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi me një urë 1 km, duke eliminuar kalimin e kufirit përmes Murriqanit dhe Hanit të Hotit.
Duke folur në Kuvend, ai u shpreh gjithashtu se në ditët e para të korrikut do të hapet Kardhiq- Delvinë dhe bypass i Vlorës.
“Duke qenë se ju mbani shënime dhe merreni me shifra, në shkurt të 2023 me kryeministrin e Malit të Zi të jemi atje për të filluar puna për ndërtimin e urës. Po ndeshen atje me një situatë jo të lehtë për shkak të rritjes së çmimeve, sidoqoftë shkurtin e ardhshëm fillon puna. Në 2 korrik hapet përfundimisht aksi i shumëpërfolur prej 100 vjetësh Kardhiq- Delvinë. Në 9 korrik hapet përfundimisht bypass i Vlorës. Ne nuk do fillojmë vetëm Milot- Balldren, sepse ne nuk mendojmë me arna siç mendoni ju. Ne do bëjmë Murriqan- Milot, Kashar- Rrogozhinë dhe kështu me rradhë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për rritjen e çmimeve në vend. Duke iu referuar INSTAT ai tha se ka produkte që në maj janë ulur në krahasim me prillin.
“Vetëm për eksportet me Serbinë dhe me Maqedoninë e Veriut kemi një rritje shumë domethënëse, thuajse dyfish në aspektin e fondeve. Ju folët për një shifër 30% që më kujtoi atë 430 milionëshin. Çmimet e nëngrupit fruta patën ulje me 5.2%. unë nuk po them që çmimet këtu janë ulur, nuk janë rritur. Por po flas për pasqyrën e bazuar mbi fakte. Ju përmendët urën e Bunës dhe bëtë shumë mirë. Realisht është një projekt shumë i rëndësishëm për industrinë tonë turistike. Mjafton 1 km urë për të evituar mbi 70 km të kapjes së veshit mbrapsht për të dalë nga njëra anë në tjetrën”, deklaroi më tej Rama.