“Panorama Sport”, gazeta më e madhe sportive në tregun shqiptar, thyen një tjetër barrierë të rëndësishme për gazetarinë në vendin tonë nëpërmjet një bashkëpunimi historik me një nga kolosët e tregut sportiv në Europë, “Corriere Dello Sport”.
Një marrëveshje që vjen për të bërë edhe më të veçantë finalen e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar këtë të mërkurë.
Pikërisht në ditën e ndeshjes, falë një bashkëpunimi mes dy botimeve, do të jetë e mundur që në tregun shqiptar të jetë si gazeta “Panorama Sport”, ashtu edhe “Corriere Dello Sport”, e cila do të publikohet për të kënaqur mijëra tifozët italianë që kanë pushtuar vendin tonë në këto ditë dhe jo vetëm.
Do të jetë një botim special që i kushtohet finales së “Air Albania” mes Romës dhe Fejnord, por edhe lajmeve të tjera që i përkasin futbollit dhe sportit italian e ndërkombëtar.
Kështu, lexuesit shqiptarë do të kenë një mundësi unike që të lexojnë edhe një prej gazetave më të njohura sportive në Europë përkrah “Panorama Sport” në ditën e finales, për të qenë sa më të informuar rreth këtij evenimenti shumë të veçantë për historinë e futbollit shqiptar.
Arena e Lajmit

Loading…