
E keni parasysh atë shprehjen: “Të tjerë duam, të tjerë na duan me të tjerë përfundojmë”?
Pak a shumë kështu duket edhe historia e punëve dhe jetës profesionale të aktorit të njohur Gentian Zenelaj.
–Çfarë donte ai të bëhej? Kuzhinier.
Artisti tregoi sot se ka patur ëndërr botën e gastronomisë, por nuk ndoqi dot një shkollë profesionale për kuzhinë gjatë komunizmit.
“Ëndrra ime ka qenë të bëhesha kuzhinier. Kur e mbarova unë 9-vjeçaren në kohën e komunizmit, kishte dy zgjedhje-Ose të futeshe në gjimnaz, ose në punë pra në shkollë profesionale. Unë zgjodha shkollën e kuzhinës që ishte në Tiranë sepse kishim njerëz jashtë dhe familja ime ishte me njollë në biografi.“- tregoi ai në një intervistë në “Pushime On Top” të cilët e kishin çuar pikërisht në Shëngjin, qytetin e tij të lindjes.
-Çfarë pune ka bërë dikur? Ndërtim.
Kemi dëgjuar histori të ndryshme nga personazhet publike dhe punët e tyre para famës. Nuk ka qenë e lehtë puna e Gentit gjatë adoleshencës kur ka punuar në ndërtim në Lezhë. E madje është ndeshur edhe me incidente të ndryshme.
“Ishte periudha e ‘96-ës dhe unë punoja në ndërtim. Dilja nga shtëpia ime dhe shkoja tangent në Kune, ku kishin filluar të ndërtoheshin vilat e para. Dhe kisha me vete një çantë ku mbaja bukën, një bluzë, etj. Kur pas meje dëgjoj dy njerëz që më thërrisnin “O çuni ndalo”, dhe shoh dy policë me armë në dorë që më thoshin “Mos lëviz dhe hape çantën”. Mund të kem qenë 17-vjeç. Ishte periudha ku njerëzit kishin filluar të hidhnin dinamit dhe policia kishte filluar të kontrollonte çdo njeri”, kujtoi Genti.
-Çfarë pune bën? Aktor.
As kuzhina, as ndërtimi. Teatri dhe kinemaja janë vendet ku Genti gjeti veten. Siç u shpreh edhe ai: “Ky ka qenë testimi që unë të bëja gjimnaz, dhe të përfundoja në Akademinë e Arteve.”