Ka qëndruar për më shumë se tri javë jashtë gjithçkaje, duke luftuar me COVID-19, por finalja e Ligës së kampioneve mes Liverpulit dhe Realit të Madridit e ka ngritur në këmbë legjendën e Uellsit, Xhon Toshak, sot 73 vjeç. Sonte në mbrëmje dy klubet e jetës së tij, Liverpuli e Reali do të jenë përballë dhe ai ndonëse i lodhur nga sëmundja nuk e ka refuzuar gazetën spanjolle “AS”, duke pranuar me kënaqësi të japë mendimin e tij.
Te Liverpuli ka luajtur për 7 vjet, duke fituar gjithçka që mund të fitohej në futbollin e kohës. Te Reali i Madridit ka qenë trajner në vitin kur “Los Blancos” fitonin titullin me 107 gola të shënuar. “Janë dy klu bet e zemrës sime. Realit të Madridit do t’i jem gjithnjë mirënjohës, duke më dhënë dy herë mundësinë t’i drejtoj si trajner, por zemra ime është e kuqe. Më kuptoni, kam mbërritur atje në moshën 20-vjeçare…
Kam fituar Kupën e Kampioneve në Romë, edhe pse nuk luajta në finale për shkak të dëmtimit. Pas largimit vendosa të shkoja te Suonsi trajner-lojtar… Kam fituar edhe dy Kupa UEFA, tri Liga, një kupë, një superkupë…”, ka thënë Toshak. Më pas një pyetje ngacmuese, çfarë do të zgjidhte në rast se do të ishte pjesë e finales së sotme në Paris. “Nuk ka diskutim se do të doja të isha sulmues i Liverpulit para të qenit trajner i Realit.
Nuk ka asgjë më të mirë në futboll se të jesh lojtar në fushë. Nëse je lojtar mund të fajësosh dhjetë të tjerët, por nëse je trajner të gjithë të hidhen në fyt. Natyrisht për vetë moshën që kam ndihem më pranë trajnerit se lojtarit”, ka thënë ai. Toshak ka zbuluar dhe dashurinë e përjetshme të tij për Liverpulin. “Sepse atje më ka ndodhur gjëja më e rëndësishme në jetë. Atje mësova gjithçka di sot. Shkova fëmijë dhe u bëra burrë. Kam punuar me njerëz të mëdhenj, si Bill Shankli. Janë emocione që nuk harrohen deri në fund të jetës”, ka thënë ai.
Arena e Lajmit

Loading…