“Kush ishte ai shkër*** që po spiunonte”?! Muzika e lokalit e linte pa gjumë, qytetari në Tiranë telefonon 10 herë policinë, pastaj denoncon

Policia Naten 644x450

Muzika e lartë vazhdon të jetë një shqetësim i përditshëm i kryeqytetasve, që kryesojnë numrin më të lartë të telefonatave anonime në sallën operative dhe më pas në vend të dytë janë ata qytetarë që denoncojnë ndërtimet pa leje dhe parkimet e gabuara.

Sipas policisë në sallën operative për ditë menaxhohen 50 deri në 60 telefonata të tilla nga shtetas që jetojnë veçanërisht në zonën e Astirit, në zonën e Freskut, në zonën e ish-Bllokut, por edhe në zona të tjera të Tiranës.

“Shumica e tyre kërkojnë një patrullë policie dhe nuk stepen, nëse policia nuk shkon në momentin e kërkuar , ata telefonojnë sërish dhe denoncojnë, edhe policinë për mosveprim. Pastaj vijnë qytetarët që kanë biznese dhe një mjet parkohet provizorisht në perimetrin e tyre, ata nuk konfliktohen më me shoferin e pakujdesshëm por telefonojnë policinë. Për të qenë bindës jo pak herë postojnë fotografitë e mjetit të parkuar keq, edhe në aplikacionin e komisariatit digjital që duhet thënë është kthyer siç ka emrin në një komisariat më vete, e i mbytur nga ankesat e çfarëdollojshme”, deklaron një zyrtar i policisë vendore të Tiranës për Gazetasi.al.

Sipas tij, nuk mbeten pas edhe zhurmat e krijuara nga ndërtimet.

“Ne kemi pasur telefonatën e një nëne të re që kërkoi ndihmë gjithë ditën sepse fëmija qante nga zhurmat e mjeteve të tonazhit të rëndë poshtë dritares së pallatit. Por ne nuk mund të ndërhynim mbasi gropa po hapej me leje dhe në raste të tilla gjithë zhurmat e krijuara nga ndërtimet nuk janë problem policor”, shton zyrtari për Gazetasi.al.

Në një nga rastet e treguara për Gazetasi.al shpjegohet se si një shtetas telefonoi 10 herë, pasi zhurma në lokalin poshtë apartamentit të tij e kishte stresuar dhe nuk po e lejonte ta bënte gjumin e qetë. Kur problemi i muzikës vazhdoi edhe për ditët në vazhdim 53-vjeçari u paraqit personalisht dhe kreu kallëzim.

“Telefonova policinë në sallën operative, pasi poshtë shtëpisë po bërtisnin dhe festonin dhe zhurma e muzikës ishte shqetësuese, jo vetëm për mua por për gjithë familjen. Erdhi policia rreth orës 22.00 , pas telefonatës së parë dhe kur shërbimet ishin aty poshtë pronarët e ulën menjëherë volumin e muzikës, kur policia iku ata e ngritën prapë”,shtoi denoncuesi.

Burri i telefonoi sërish për herë të dytë dhe pronarët e lokalit në katin e parë vepruan njësoj, edhe për nëntë herët e tjerë. Policia u largua dhjetë herë nga lokali mbasi qytetari telefononte tek numri pa pagesë 129 dhe patrullat mbërrinin në vendngjarje me automjete policore.
“Në fund doli pronari i nevrikosur dhe me zë të lartë në mënyrë të degjeneruar nga fjalori kush ishte ai shkër*** që po spiunonte ?”, thotë në denoncim qytetari.

Ai dëgjoi sharje pa adresë në adresë të telefonuesit, duke insistuar se donte numrin e qytetarit që ankohej. Qytetari kujton para oficerëve se patrullat nuk kanë komunikuar dhe nuk ja dhanë numrin pronarit të lokalit.

“Unë u ndjeva i ofenduar ndonëse ata të barit poshtë nuk e dinë që jam unë, kështu që e denoncoj këtë shtetas për kanosje dhe fyerje”, kallëzon pranë policisë vendore kryeqytetasi, sipas materialit që ju tregua Gazetasi.al, mes çështjeve më të veçanta për të cilat shtetasit kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve./GazetaSi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×