Tefik Osmani në 360 gradë. Drejtori i Tiranës së bashku me Refik Halilin dhe Orges Shehin ndërtuan bardheblutë që u shpallën kampionë të Shqipërisë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Osmani rrëfen kampionatin, të fshehtat dhe çfarë kishte vendosur me veten nëse gjërat nuk shkonin mirë. Tefiku pranon se skuadra aktuale është më e mira e 10 viteve të fundit dhe tani qëllim janë grupet e Konferencë Ligës.
Tefik, Tirana fitoi titullin kampion. Ju e keni fituar këtë trofe edhe si lojtar, por si drejtues si është të fitosh?
Të them të vërtetën është ndryshe, sepse kur je lojtar, ke përgjegjësinë e vetes, ndërsa kur je si drejtor, përgjegjësia është më e madhe. Më vjen mirë që besimin që njerëzit patën tek unë ua shpërbleva. Më vjen mirë edhe që njerëzit te të cilët unë pata besim ma shpërblyen. Këtu e kam fjalën për stafin dhe lojtarët.
Në fillim të sezonit ju polemizuat për mënyrën e funksionimit të klubit në të shkuarën nga njerëzit…
Jo vetëm që doli ajo, por çdo klub duhet të funksionojë ashtu siç ka funksionuar këto vitet e fundit. Jo se kam qenë unë, por kanë meritë të gjithë njerëzit. Kjo është rruga e të funksionarit.
Disa e morën edhe personale…
Ata që e morën personale, le të dalin dhe të kthejnë përgjigje, nëse e kanë marrë personale.
Ju personalisht ishit i bindur që kjo skuadër do të ishte fituese dhe do të dilte kampione e Shqipërisë?
Kam qenë i bindur që skuadra do të funksiononte dhe këtë parandjenjë e kisha që kur mora këtë detyrë, sepse në veten time e di si mund të funksionojë një klub, si mund të sillem ndaj stafit, lojtarëve, por të them të vërtetën me bindje të plotë nuk e kam ditur që do të ishte një grup me të vërtetë fantastik. Në dhjetë vitet e fundit te Tirana ky është grupi më i mirë.
Ka qenë presion i madh. Të gjithë e dinë që keni qenë amortizuesi mes drejtuesve të lartë dhe skuadrës…
Të jesh drejtori sportiv i klubit më të madh shqiptar nuk është e lehtë, ku titulli kampion është detyrim. Edhe sikur të luash me pesë vetë në një ndeshje, patjetër duhet ta fitosh. Me ndihmën e të madhit Zot dhe sakrificën e madhe që ka bërë ky grup ne kemi arritur që të jemi fitimtarë ndaj presionit të madh që ka ky klub.
Cila është goditja më e madhe që kreu Tefik Osmani në këtë sezon të titullit kampion?
Kjo është e bukur. Goditja më e madhe imja është që lekët që më dha presidenti unë kam arritur të bind lojtarët. Kjo është goditja më e madhe. Pa lekët e familjes Halili nuk është e pamundur të bësh që gjërat të realizohen.
Në këtë moment që flasim, Shehi ka firmosur, Najdovski po, Toli po. Toshevski drejt marrëveshjes. Po tani?
Që kur nisëm diskutimet me Orgesin pa firmosur me klubin kemi ndenjur gjatë dhe kemi menduar që të shpallemi kampionë, ndërsa vitin tjetër të jemi sërish kampionë, por pa prishur grupin. 97 për qind e skuadrës është. Vetëm Hoxhallari është larguar. Do të shohim me Toshevskin se si do të vazhdojnë bisedat. Ama kur ke 97%, nuk është njësoj me faktin që të ikën gjysma e skuadrës.
Surpriza e merkatos?
Ky klub është mësuar që të bëjë surpriza. Do të mundohemi të afrojmë lojtarë që i bashkëngjiten këtij grupi fantastik.
Ju thatë që administruat paratë e presidentit…
Nuk kanë qenë pak para.
Nuk diskutohet, por skuadra bëri aq sa pritej, më pak apo më shumë?
Me veten time them që jam barazim. Përse jam barazim? Sepse ky është viti im i dytë. Nuk u fshihem edhe dështimeve. Të gjithë ata që merren me futbollin, si puna ime, të mos ngrenë duart kur fitojnë, por edhe kur ka dështim. Mendoj se jam barazim. Ky grup ka kaluar pritshmëritë sepse nuk e kam pritur që këta të stërviten dhe të vazhdojnë të stërviten edhe pas daljes matematikisht kampion me të njëjtin ritëm si ditën e parë.
Ku duhet të përmirësohet Tirana?
Çdo klub ka nevojë të përmirësohet dhe në çdo kohë, sa herë që fiton dhe humbet. Faza përgatitore është e gjatë. Mund të kemi dëmtime, oferta, por ne duhet të jemi të kompletuar. Në çdo repart duhet të kemi lojtarë që ta bëjmë gjumin e qetë.
Më mirë futbollist apo drejtues?
Është më e vështirë që të jesh drejtues. Edhe këtë nuk e them se jam tani drejtues. Lojtari ka një objektiv të luajë dhe këtë e vendos trajneri. Kur je drejtues, duhet të merresh me lojtarët, më pas me stafin dhe pasi e mbyll punën te fusha, duhet të flasësh me presidentin.
Cilin lojtar do të donit të kishit te Tirana nga ata që nuk janë me bardheblutë? Flasim edhe virtualisht…
E kuptoj shumë mirë, por nuk është korrekte. Të gjithë kundërshtarët tanë kanë lojtarë cilësorë dhe i respektoj.
Pak a shumë ky sezon dhe kjo punë ishte basti me veten tuaj?
Unë e them publikisht: Nëse unë do të dështoja këtë vit, do të largohesha nga ekipi. Të them që unë fitova. Nuk jam nga ata njerëz që rri edhe kur dështoj. Shyqyr Zotit fituam, por nuk e besoj dhe me Orgesin edhe tani flasim e themi se si ka mundësi që kjo skuadër vazhdon të stërvitet dhe e ka mendjen te loja. Jam i habitur. Shto veç punës edhe fatin që të ndihmon.
Çfarë prisni nga Europa?
Me të gjithë njerëzit që flas apo kaloj kohën, e di që u kam thënë se brenda tri viteve të paktën të jemi në grupet e Konferencë Ligës. Neve na duhen 2-3 lojtarë. Ekipet që marrin pjesë në Konferencë Ligë nuk është se kanë ndonjë nivel më të lartë sesa ne.
Tani edhe me diplomë?
Në shkollë nuk kam qenë i mirë, pavarësisht se nuk e kam marrë diplomën. Më shumë ka të bëjë se si e ndien lojtarin pas një fitoreje apo humbjeje, stafin dhe se si mund ta ndiesh presidentin pas një fitoreje apo humbjeje. Diploma është shumë e rëndësishme sepse të lë të ulesh në pankinë. Fiton diçka, ama këtë ua kam thënë edhe fëmijëve të mi, që shkolla më e mirë është rruga ku do të ecin.
I mundni me fjalë të gjithë, por i mundni edhe me vepra?
Ndihem mirë që të gjithë mendojnë se i mundja me fjalë, por ju falënderoj. Tani i mund edhe me vepra.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

Loading…