Jurgen Klop është pjesërisht fajtor për kaosin që shpërtheu para finales së Ligës së Kampioneve në Paris, ku Real Madrid u ndesh me Liverpulin. Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur autoritetet franceze, të cilat sot nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, Gerald Damranin, shpjeguan çfarë kishte ndodhur duke fajësuar sidomos tifozët anglezë.
Sipas policisë franceze, 70% e biletave që ishin shitur kishin qenë false, dhe rreth 30000-40000 tifozë anglezë ishin nisur drejt stadiumit me të tilla. “Këto probleme lindin vetëm në futboll me disa klube të caktuara angleze. Prania e kaq shumë tifozëve britanikë pa bileta, ka ndodhur edhe më parë, në vitin 2019 në Madrid. Dhe krijoi të njëjtat lloj vështirësish. Kishte probleme edhe ne “Uembli” vitin e kaluar në finalen e Europianit.
Është sjellja, çorganizimi dhe një treg i madh i biletave false. Dhe po ju kujtoj që trajneri i Liverpulit, pak ditë më parë i ftoi tifozët që të vinin në Francë edhe pa pasur bileta. Ndaj ne e gjetëm veten përballë dhjetëra mijëra tifozëve anglezë, ku një pjesë respektoi plotësisht rregullat, bleu biletat dhe shkoi në zonën e tifozëve që u kushtohej atyre. Ishin dhjetëra mijëra tifozë që ishin në Fan Zone dhe nuk krijuan probleme, por ishte një pjesë e vogël, por aktive, e cila u përplas me sistemin tonë të sigurisë”, tha Ministri i Brendshëm i Francës.
Para finales, Jurgen Klop kishte nxitur tifozët e Liverpulit që të udhëtonin drejt Parisit. “Unë nuk dua që të ftoj njerëz në Paris, por këtë radhë është një qytet i madh sa duhet. E kam bërë këtë për Bazelin (finalja e Ligës së Europës në vitin 2016) dhe e gjithë Zvicra vuri duart në kokë. Por mendoj se Parisi është i madh mjaftueshëm që të shkosh atje pa biletë dhe t’ia kalosh mirë. Silluni mirë, por t’ia kaloni sa më mirë të jetë e mundur”, ishte mesazhi që dha Klop pak ditë para finales.
Arena e Lajmit

Loading…