Gentian Muça, një nga lojtarët më të dashur të tifozërisë bardheblu, thotë se Tirana nuk u la shanse kundërshtarëve as të mendonin titullin kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Muça foli për titullin. Jo vetëm kaq, por zbuloi se cila është forca e kësaj skuadre.

Mbrojtësi bëri edhe një krahasim me sezonin kur fitoi titullin në fushën e lojës. Edhe pse minutazhi ka qenë i paktë këtë sezon, Gentian Muça ka një meritë të madhe në këtë titull të Tiranës, ku me sjelljen dhe përkushtimin e tij, ka ndihmuar në mbajtjen e bashkuar të grupit. Mbrojtësi këtë sezon është aktivizuar në 11 takime dhe ka qenë në fushë 326 minuta. Për të me fanellën e Tiranës janë më shumë se 10 kampionate pasi luan me bardheblutë që prej sezonit 2009-2010.
Tani kjo intervistë po bëhet dhe në sfond është kënga “Tirana kampion”. Si është të shpallesh kampion?
Kënga është si me porosi. Jam shumë i lumtur për këtë fakt. Nga ana tjetër të shpallesh kampion me Tiranën është diçka fantastike.
Ka qenë një festë e madhe për këtë titull të 26-të…
Atmosfera këto ditë ka qenë e jashtëzakonshme. Titulli i fituar në fushë me meritë dhe i festuar në mënyrë të veçantë vetëm ashtu siç dinë tironsit dhe tifozët e Tiranës dinë ta festojnë. Fjalët në këtë rast janë të tepërta.
Për Gentian Muçën, cili është titulli më i bukur, ky i fituar këtë sezon apo ai dy viteve më parë?
Të them të vërtetën, titulli më i bukur është ai i para dy viteve. Luajta si titullar dhe kur je në fushë, sigurisht që e ndien edhe më shumë.
Që në javën e katërt në krye të renditjes. Po kjo skuadër çfarë ka të veçantë?
Kjo skuadër ishte e jashtëzakonshme në fushë. Realisht gjatë gjithë kampionatit nuk i dha shpresë asnjë ekipi në fushë. Jo vetëm kaq, por as të mendonte që të kishte edhe një shans për të fituar titullin apo edhe për t’iu afruar dhe konkurruar Tiranën. Kjo është forca e kësaj skuadre.
Është normale që kur fiton, cilit ia dedikon këtë titull, të tretin rresht për Muçën?
Normalisht që në kampionate të tilla, çdo gjë i përket familjes, me mbështetjen që më kanë dhënë. Tifozëve dhe klubit që i kam mbështetur jo tani, por gjithmonë, si dhe familjes bardheblu. Për të ardhmen të shohim.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
Loading…
and then