EKSKLUZIVE/ “Peng që nuk luajta më shumë me Shqipërinë”, Valdet Rama: Ja si i shënohet Islandës (E PLOTË)

“Mbaj mend që bënte shumë ftohtë dhe stadiumi ishte fare i thjeshtë”, këto janë fjalët e Valdet Ramës në një intervistë për “Panorama Sport”, teksa kujton edhe një herë atë gol të shënuar kundër Islandës në 2013-ën. 34-vjeçari që luan në Gjermani dhe jeton pranë familjes, ka komentuar gjendjen e tanishme të Kombëtares, me cilin nga shokët e përfaqësueses mban kontakt akoma edhe sot, si dhe është falënderues dhe i kënaqur se si ka shkuar karriera e tij.

Valdet-Rama

Valdet, si jeni dhe si ju ka shkuar ky sezon që sapo u mbyll?

Me thënë të drejtën, ky sezon nuk ka qenë edhe aq mirë sepse kam pasur disa probleme me dëmtimet, kam lënduar dy herë gjurin dhe pastaj po ashtu kam kaluar edhe dy herë COVID-in.

Por kam luajtur disa ndeshje, kam edhe një vit kontratë këtu në Gjermani dhe sezonin që vjen do të mundohem të jap maksimumin sepse e ndiej veten akoma mirë. Po mundohem që ta shijoj dhe të luaj sa më shumë sepse e ndiej kënaqësinë akoma. Pastaj këtu ndodhem edhe afër familjes, i kam të gjithë këtu dhe shumë shpejt do të nisim përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Nuk ka ndonjë mundësi për një transferim në vend tjetër?

Jo, ndihem mirë dhe do të qëndroj këtu.

I keni ndjekur ndeshjet e fundit të Kombëtares?

Po, i kam ndjekur, jo rregullisht sepse ndonjëherë nuk kam pasur kohën dhe ndonjëherë isha duke luajtur vetë.

Kuptoj, po në aq ndeshje sa keni ndjekur, si ju është dukur?

Besoj se në ndeshjet e fundit kanë qenë mirë, po ashtu siç kanë pasur edhe disa probleme, por për mendimin tim janë zhvilluar si ekip.

Ka ndryshim nga ekipi i disa viteve më parë, kur edhe ju ishit pjesë?

Tani kanë afruar shumë lojtarë të rinj, disa emra që nuk i kam njohur dhe besoj se kanë bërë një punë të mirë. Po ashtu edhe me trajnerin Edi Reja kanë kohë si grup që po bashkëpunojnë dhe besoj se kanë arritur atë zhvillim që në fillim nuk ka qenë, kanë pasur probleme, por me kalimin e kohës kanë arritur një formë të mirë. Edhe me grupin tonë ashtu ka qenë, në fillim nuk kanë shkuar gjërat mirë, por pastaj arritëm deri në kualifikim të Europianit.

Me cilin lojtar nga Kombëtarja mbani kontakte ose flisni më shpesh tani?

Kam vazhdimisht kontakte. Me Abrashin apo Berishën që jemi shumë miq të mirë edhe pse në kohët e fundit nuk kemi pasur shumë kontakt. Po ashtu edhe me disa lojtarë të tjerë si me Mavrajn, Alban Mehën, Bashën, ndonjëherë edhe me Lorik Canën.

I kujtoni ato kohë kur keni kaluar në ato vite në Kombëtare?

Sigurisht që po, ka qenë gjithmonë një kënaqësi që të luaje me ata lojtarë dhe për fanellën e Kombëtares.

Si ju duket skema që përdor trajneri aktual Edi Reja?

Është një sistem që për lojtarët si unë që luajnë në krah nuk është ideale. Por për t’u mbrojtur është një sistem i mirë dhe në fillim Shqipëria pati problem me këtë skemë derisa arritën ta adaptonin. Tani që janë përshtatur, janë më stabël, sepse edhe vetë sistemi do pak kohë. Nga ana tjetër Shqipëria ka disa lojtarë anësorë shumë të mirë dhe e thashë edhe më sipër, për ta nuk është ideale

Vijmë te ndeshja me Islandën. Ju keni shënuar kundër tyre në vitin 2013, aty. Çfarë kujtoni nga ai gol?

Po, sigurisht që e mbaj mend. Çdo gol që kam shënuar për Shqipërinë më kalon në mendimet e mia. Ka qenë një kënaqësi, kanë qenë kualifikueset e Botërorit, ai gol për mua ka qenë fenomenal dhe kishim shanse të kualifikoheshim, por fatkeqësisht atë ndeshje e humbëm 2-1. Gjithsesi, të shënosh për Shqipërinë ka qenë një kënaqësi shumë e madhe.

Çfarë kujtoni nga Islanda, diçka që ju ka mbetur në mendje apo ju ka bërë përshtypje?

Kur kam shkuar, ishte hera e parë dhe mbaj mend që bënte shumë ftohtë në atë kohë. Stadiumi nuk ka qenë normal, ishte një stadium i thjeshtë, i pakrahasueshëm më atë që ka tani Shqipëria.

Sa shanse ka për një rezultat pozitiv Shqipëria dhe nëse po, kush mendoni se mund të jetë vendimtar në këtë ndeshje?

Islanda ka një grup dhe lojtarë të mirë, por besoj se në ndeshjet e fundit Shqipëria është paraqitur mirë dhe çdo lojtar e ka atë vetëbesimin. Kombëtarja më së shumti i ka fituar ndeshjet si skuadër dhe ashtu them se do ta bëjë akoma. Nëse funksionojnë si grup, çdo gjë është e mundshme dhe kanë shumë shanse për një rezultat pozitiv atje.

Po të ktheheshit edhe një herë mbrapa, çfarë është një gjë që do të bënit ndryshe në karrierën tuaj?

Të them të drejtën, është normale që çdokush mund të gabojë në momente të caktuara. Por në fakt unë jam i kënaqur me karrierën time pasi kam arritur të luaj në Gjermani, në një shtet me 80 milionë banorë. Kam qenë vetëm 8 vjeç kur kam ardhur këtu dhe kam arritur të luaj në ligat më të mira në botë, si Gjermania apo Spanja. Kam qenë edhe në Suedi, kam provuar disa përvoja që as nuk i ëndërroja.

Kështu që në fund jam falënderues për këtë karrierë pasi nuk ka qenë e lehtë për mua sepse kemi ardhur në një shtet që nuk kemi ditur as gjuhën dhe asgjë tjetër. Këtu është një konkurrencë shumë e madhe dhe në fakt jam i kënaqur me karrierën time. Pastaj mund të them se ka qenë dëshira e madhe që të luaja akoma më shumë për Shqipërinë, por kështu ishte situata dhe më pikon në zemër akoma që nuk kam qenë pjesë e Europianit, megjithatë ashtu ishte momenti dhe faza që isha. Por prapëseprapë kam qenë pjesë e atij grupi që ka arritur atë sukses dhe kjo më bën shumë krenar.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit

 


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×