“Tani do të fitojmë Serinë A dhe do të konfirmohemi në Europë”. Batuta e Silvio Berluskonit pasi Monza e tij u ngjit për herë të parë në histori në Serinë A, ka bërë xhiron e rrjetit. Vetë presidenti saktësoi se në fakt ishte një deklaratë me humor, pasi sigurisht nuk priste që në një periudhë të shkurtër ekipi të kthehej në pretendent në Itali.
Por ndërkohë, është mësuar se plani i tij për Monzën është shumë konkret dhe investimi që do të bëjë në klub pas ngjitjes, nuk është i vogël. Mediat italiane kanë mësuar se ish-presidenti i Milanit i ka vënë në dispozicion Adriano Galianit një shifër të denjë për skuadrat pretendente, për t’u shpenzuar në merkaton e verës në mënyrë që të ndërtohet një ekip dinjitoz i cili të mos ketë probleme për mbijetesën në elitë.
Berluskoni ka caktuar 150 milionë euro, para të cilat duhet të mjaftojnë për të blerë shumë emra cilësorë në elitën e futbollit italian, falë edhe lidhjeve që ka Galiani i cili njeh shumë prej tyre që në periudhën kur drejtonte Milanin. Kandreva, Beloti, Destro e Ranokia janë vetëm disa prej “ekspertëve” të Serisë A që po ndjek klubi debutues,. Ndërkohë, ka nxjerrë në vitrinë disa prej lojtarëve të rinj të cilët e ndihmuan të ngjiten në elitë, pasi me shumë mundësi nuk do të kenë vend në radhët e kësaj skuadre në sezonin e ardhshëm.
Arena e Lajmit

Loading…