
Kreu i PDBNJ-së, Vangjel Dule nga foltorja e Kuvendit deklaroi se akti normativ për kompensimin e çmimeve që pritet të miratojë sot qeveria i jep mundësi oligarkëve.
Sipas Dules nuk janë më oligarkët klientë të qeverisë, por kjo e fundit kliente e tyre. mes të tjerash Dule tha se kjo qeveri është qeveria e mirëqenies së shifrave dhe e mjerimit të qytetarëve.
“Duke ju ndjekur me shumë vëmendje dhe respekt zonja ministre, në seancat dhe fjalët tuaja, karakterizimi i qeverisë së mirëqenies së shifrave dhe mjerimi i qytetarëve është më i përshtatshmi. Ju dëgjoj me agoni që bëni një fjalim që nuk ju shkon. Nuk ju akuzon kush, as ministren e Financave, as të Shëndetësisë as Zotit Majko që jeni ju shkaktarë të rritjes së krizës së çmimeve. Kriza ka dy anë, ata që përfitojnë dhe ata që humbasin. Dikush fiton dhe dikush humbet, shuma në fund është zero. Qeveria është një nga fituesit e kësaj krize. Shifrat i dini, janë në rritje të dukshme. Për kohezionin social dhe paqen sociale, se shoqëria jeton në kushte te pabarazisë. A i keni këto kritere në politikëbërjen tuaj. Çfarë bëri politika gjermane? Reduktoi çmimin e benzinës me 30 cent. Qytetari gjerman që ka të ardhurat për frymë 49 mijë dollarë e blen benzinë më lirë se sa qytetari shqiptar”, tha Dule.
Sipas tij “Përse i propozon Kongresi Ramës që të heqë taksën federale? Deklarata e timonierit tonë, gjeniut të financave, thonë; taksat e naftës nuk do të hiqen. S’ka protestë me foni dhe drita apo me X5. A e shikoni mjerimin tuaj politik dhe retorik zonja të nderuara. Ju vini sot me një akt normativ me të cilin nuk përpiqeni që të fshihni karakterin tuaj klasor. Pozicionoheni me oligarkët. Nuk ju intereson çmimi i miellit, i karburantit, por i hekurit i çimentos, pasi janë klientët tuaj. Jeni qeveria e oligarkëve. Ju nuk keni përgjegjësi qytetarët. Juve jua keni vjedhur votën. Ju jeni qeveria, që nuk janë më klientët tuaj oligarkët, por ju klientët e tyre. Ju vini sot për të konkretizuar me ligjvënie në parlament interesat tuaj. Ju vini dhe miratoni një akt normativ që është kryekëput i interesave të korrupsionit.”, tha Dule.