Është periudhë merkatoje dhe si në çdo ekip tjetër edhe te Kastrioti do të ketë ndryshime, me lojtarë që u ka përfunduar kontrata dhe presin ofertën e klubit për ta rinovuar e me disa të tjerë që presin të nisin aventura të reja në ekipe të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Për ndërtimin e skuadrës së re, gjithçka pritet të nisë nga trajneri i cili ende nuk është rikonfirmuar në krye të skuadrës. Me konfirmimin e tij do të nisë edhe puna për ndërtimin e skuadrës së re ku krahas plotësimit të boshllëqeve që mund të lënë largimet, do të ketë edhe afrime. Krutanët sezonin e shkuar i nisën shumë vonë përgatitjet dhe në njëfarë mënyre skuadra në fillim të sezonit nuk ishte aty ku pritej, megjithatë flitet që këtë sezon përgatitjet do të nisin më shpejt pasi dhe kampionati do të nis më herët.
BRAZILIANËT
Krutanët në vitet e fundit kanë pasur në skuadër disa brazilianë me tre prej tyre që lanë gjurmë si sulmues të ekipit. Ishte Roxher Zhunior ai që në sezonin 2018-2019 shkëlqeu në Krujë dhe më pas u transferua jashtë. Në 2020-2021, Kastrioti pati Devid de Silvën, që dhe ky la gjurmë në skuadër dhe fillimisht u transferua në Portugali për t’u rikthyer më pas në Shqipëri me Tiranën. Në sezonin që sapo u mbyll ishte Kaina Nunesh ai që në një gjysmë sezoni shënoi 7 gola, duke ndihmuar skuadrën në realizimin e objektivave. Për fatin e keq të Kastriotit, Kaina do të largohet, por në klub po punojnë për të gjetur të tjerë lojtarë të rëndësishëm, teksa tregu brazilian mbetet i preferuari.
-Arena e Lajmit

Loading…