Bylisi pritet që të jetë skuadra me moshën më të re në sezonin e ardhshëm në Superiore. Prej dy sezonesh, pjesë e ballshiotëve është edhe shkodrani Aleksandër Trumci.
Me Bylisin debutoi para dy edicionesh në elitë, ndërsa shihet si një element me perspektivë, teksa është adaptuar mjaft mirë në linjën e djathtë, qoftë në mbrojtje dhe mesfushë.
Jo më kot, Trumci është një nga lojtarët më shumë të aktivizuar në Ballsh me 28 ndeshje të aktivizuara në Kategorinë e Parë (2148 minuta). Listën e kryeson Eridon Qardaku, e pas tij vjen Loran dhe Trumci.
“Mbyllëm një sezon perfekt me një ecuri mjaft të mirë dhe duke dominuar garën. Në një kampionat të gjatë dhe me rivalitet ne ishim skuadra që kryesuam për shumë javë dhe bëmë diferencën nga rivalët.
Në aspektin personal jam shumë i lumtur, sepse ishte viti i dytë. Pas minutave në Superiore në sezonin e parë me Bylisin apo dhe me ekipin U21 në këtë kampionat, kam marrë më shumë eksperiencë, që do të më shërbejë shumë.
Fituam edhe titullin kampion me meritë, duke i shtuar edhe një trofe klubit. Unë do të jem në Ballsh edhe sezonin tjetër dhe jam shumë i lumtur që do të luajë në Superiore.
Presidenca i ka idetë të qarta e për më tepër që jemi shumë lojtarë me kontrata afatgjata. Kjo do të na e bëjë më të lehtë për të qenë pse jo edhe më kompaktë në rikthimin tonë në elitë”, ka thënë Trumci për “Panorama Sport”, teksa bashkë me Eridon Qardakun, Marçelino Prekën, Joald Ivzikun dhe Roland Shkrelin përbëjnë kolonën shkodrane në Ballsh.
Ndërkohë, sa i përket merkatos në dalje, kujtojmë që nga Bylisi janë larguar Milosh Stijanoviç dhe Xhoi Carkanji, ndërsa pritet që së shpejti të ketë edhe largime të tjera.
Drejtuesit e klubit, prej kohësh kanë nisur me ndërtimin e skuadrës së Superiores, por ende nuk ka konfirmime për afrimet e para. Presidenti Kapllanaj po vëzhgon disa elementë cilësorë, që do të shtojnë konkurrencën në skuadër.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit

Loading…