
Arrestohet, Gulsen e cila njihet si Madonna e Turqisë.
Këngëtarja turke Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë me shkollat fetare, raporton BBC.
Në muajin prill, këngëtarja e quajti një anëtar të grupit të saj “pervers” sepse ai ishte pjesë në një shkollë fetare.
Pavarësisht se komenti i saj ka muaj që është bërë, vetëm së fundmi u bë virale në internet, duke tërhequr kritika nga qarqet konservatore.
Kritikët thonë se arrestimi i saj është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen ndaj tij përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Para arrestimit të saj, Gulsen – e cila shihet si Madonna e Turqisë – kishte kërkuar falje në mediat sociale dhe tha se fjalët e saj u frynë nga ata që synojnë të “polarizojnë shoqërinë”.
Duke shkruar në Twitter dhe Instagram, këngëtarja tha se ndërsa “mbronte lirinë e shprehjes” me “shakanë mes kolegëve” i kërkonte falje “të gjithëve që u ndienë të ofenduar”.
Ajo po mbahet në pritje të gjykimit.
Këngëtarja, emri i plotë i së cilës është Gulsen Colakoglu, është kritikuar më parë nga elementë konservatorë të shoqërisë turke për veshjen e saj dhe mbështetjen e saj për të drejtat e grupit LGBT.
Arrestimi i 46-vjeçares ka përçarë vendin, ku mbështetësit konservatorë dhe pro-qeveritar i përshkruan gjerësisht komentet e saj si “pafytyrësi”, ndërsa zëra më liberalë dhe pro opozitës e kritikuan arrestimin e saj si joproporcional dhe reaksionar.